Ndërhyrja ruse në SHBA, arrestohet kontraktorja që publikoi materiale sekrete

545
Një kontraktore amerikane është arrestuar me akuzën se ka publikuar në media, informacione sekrete lidhur me ndërhyrjen e pretenduar ruse në politikën amerikane. Në këtë material pohohet se shërbimet ruse të inteligjencës janë përpjekur të kryejnë sulme kibernetike pak ditë përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

Një kontraktore e qeverisë amerikane është arrestuar me dyshimet se ka publikuar informacione sekrete në një portal lajmesh. 25-vjeçarja Reality Leigh Winner pretendohet se ka mbledhur, transmetuar ose humbur materiale të klasifikuara të mbrojtjes nga një godinë e Agjensisë Kombëtare të Sigurimit, në shtetin e Xhorxhias. Akuzat ndaj saj u lajmëruan shkurtimisht pasi portali Intercept publikoi një konferencë të Agjensisë Kombëtare të Sigurimit mbi ndërhyrjen e pretenduar ruse në politikën amerikane. Ndërkaq, Departamenti i Drejtësisë tha se kontraktorja 25-vjeçare është arrestuar në 3 qershor.

Portali Intercept publikoi një dokument ku pohohet se shërbimet e inteligjencës ushtarake të Moskës janë përpjekur të kryejnë sulme kibernetike në të paktën një software votimi, ditë përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në SHBA. Megjithatë, nuk ka asnjë sugjerim në materialin e publikuar se piratët kompjuterikë kanë qenë të suksesshëm në këtë përpjekje.

Agjensitë amerikane të inteligjencës kanë akuzuar Kremlinin se është përpjekur të ndërhyjë në zgjedhje për të siguruar fitoren e Donald Trump ndaj Hillary Clinton. FBI dhe disa komisione të kongresit janë tashmë duke hetuar çështjen, ndërkohë që presidenti Trump vazhdimisht i ka quajtur këto histori si “lajme të rreme”.
Sigal