Ndërhyrja e Rusisë, Trump bllokon publikimin e memorandumit të Senatorëve Demokratë

557
Presidenti amerikan Donald Trump bllokoi të premten publikimin e një memorandumi të klasifikuar të shkruar nga ligjvënësit Demokratë për të hedhur poshtë një dokument të Republikanëve që ai lejoi të bëhej publik javën e kaluar, i cili deklaronte se FBI dhe Departamenti i Drejtësisë ishin kundër tij në hetimin federal për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016 në SHBA, shkruan Reuters.
Vendimi i presidentit Republikan ka zemëruar Demokratët. Lideri Demokrat në Senat Chuck Schumer tha se: “Miliona amerikanë po bëjnë një pyetje të thjeshtë: çfarë po fsheh Trump?”.
Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë Don McGahn tha se Departamenti i Drejtësisë kishte identifikuar pjesë të memorandumit me 10 faqe të shkruar nga ligjvënësit Demokratë të Komitetit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve që “do të krijonin shqetësime të mëdha për sigurinë kombëtare dhe interesat e forcave të zbatimit të ligjit” të vendit.
Shtëpia e Bardhë gjithashtu publikoi një letër të Drejtorit të FBI-së që shprehte shqetësim rreth publikimit të memorandumit në lidhje me mbrojtjen e burimeve dhe metodave të agjencive të inteligjencës amerikane.
Një javë më parë, Trump hodhi poshtë kundërshtime të ngjashme nga FBI dhe Departamenti i Drejtësisë rreth publikimit të memorandumit të shkruar nga ligjvënësit Republikanë nga i njëjti Komitet i Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve që vinte në shënjestër zyrtarë të lartë të forcave ligjzbatuese.
“Standardi i dyfishtë i Presidentit Trump për sa i përket transparencës është i tmerrshëm”, tha Demokrati Chuck Schumer
Një javë më parë Trump lejoi publikimin e memorandumit të shkruar nga Republikanët pa redaktime. Demokratët u shprehën se memorandumi kishte informacione të klasifikuara dhe kishte si qëllim diskreditimin e hetimit të Prokurorit Special Robert Mueller mbi bashkëpunimin e mundshëm të fushatës së Trump me Rusinë në 2016.
Sakaq Kreu Demokrat i Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve, Adam Schiff tha se memorandumi që Trump bllokoi përmban fakte që publiku duhet t’i dijë, duke përfshirë faktin që FBI veproi në mënyrën e duhur kur kërkoi leje nga një gjykatë speciale për survejimin e Carter Page, një këshilltar i fushatës së Trumpit që ka lidhje me Rusinë.
Komiteti i Inteligjencës votoi unanimisht të hënën për publikimin e dokumentit të hartuar nga Demokratët.
Agjencitë e inteligjencës amerikane kanë arritur në përfundimin se Rusia ndërhyri në fushatën presidenciale të 2016, një përpjekje për të çuar garën në favor të republikanit Trump. Kremlini ka mohuar akuzat për ndërhyrje në zgjedhje.
Sigal