Ndërhyrja e Rusisë në zgjedhje, Trump: I gatshëm të merrem në pyetje nga prokurori special

671
Presidenti amerikan Donald Trump thotë se është i gatshëm të merret në pyetje nga Prokurori Special Robert Mueller në kuadër të hetimit për ndërhyrjen e Rusisë në në zgjedhjet presidenciale të 2016. Duke folur për gazetarët të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se ishte absolutisht i përgatitur të merrej në pyetje nga Mueller.
“Do ta bëja, duke u betuar se do të them të vërtetën. Nuk ka patur asnjë bashkëpunim dhe asnjë pengesë” u shpreh Trump.
Ai gjithashtu shtoi se mund të intervistohet nga zyra e prokurorit special brenda dy ose tre javësh, me miratimin e avokatëve të tij.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë më parë ka mohuar se do merrej në pyetje duke e cilësuar hetimin mbi Rusinë si një ‘gjueti shtrigash’.
Agjensitë e inteligjencës amerikane kanë arritur në përfundimin se Moska është përpjekur të ndikojë në zgjedhjet presidenciale në favor të Trump-it.
Kremlini i ka mohuar akuzat për ndërhyrje dhe Trump vazhdimisht ka thënë se nuk ka pasur bashkëpunim të fshehtë midis ekipit të tij dhe Rusisë.
Prokurori Mueller dhe tre komitete të Kongresit amerikan po hetojnë mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2016.
Sakaq Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së Jeff Sessions u intervistua javën e kaluar nga zyra e Mueller në lidhje me hetimin për Rusinë. Kryeprokurori amerikan është anëtari i parë i kabinetit Trump që është marrë në pyetje.
Sigal