Ndërhyn Këshilli i Europës, “Radika” nuk devijohet

462
Këshilli i Europës i kërkon qeverisë maqedonase të ndërpresë në mënyrë urgjente projektin për ndërtimin e hidrocentraleve në Parkun e Mavrovës, çka do të thotë rrjedhimisht të mos devijohet lumi i Radikës.
Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës pranë Këshillit të Europës ka hartuar tashmë një draft-dokument që do të paraqitet për miratim në seancën që do të zhvillohet nga datat 1 deri në 4 dhjetor në Strasburg.
Në këtë dokument theksohet se “duke pasur parasysh të gjitha specifikat e Parkut Kombëtar të Mavrovës, që është i pasur me biodiversitet të larmishëm dhe është një habitat natyror i një numri të madh speciesh të mbrojtura si dhe faktin që Maqedonia është në një proçes përafrimi me Bashkimin Europian dhe direktivat e Bashkimit Europian janë shumë të rëndësishme ndaj ndikimeve që këto projekte mund të kenë në rrjedhën natyrale të lumenjve i rekomandojmë ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë përdorimin e metodave parandaluese dhe pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të projektit për ndërtimin e hidrocentralit në territorin e Parkut Kombëtar të Mavrovës”dhe të përdorë mënyra të kujdesshme për realizimin e projekteve”.
Më tej në këtë dokument i kërkohet qeverisë së Maqedonisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim që të përgatisin një raport strategjik dhe të integruar të impaktit të shkaktuar deri tani mbi mjedisin, duke përfshirë të gjitha aktivitetet që janë planifikuar që të zhvillohen mbi territorin e Parkut Kombëtar të Mavrovës si dhe efektet që do të shkaktojnë këto aktivitete në një periudhë kohore afatgjatë.
“Identifikoni ato specie të faunës dhe të florës që gjenden në Parkun kombëtar të Mavrovës për të cilat shteti ka përgjigjësi që të ruhen e që mund të shkatërrohen nga zbatimi i këtyre projekteve . Të sigurohen burime të mjaftueshme financiare dhe njerëzore që të shërbejnë për monitorimin biologjik me kohë të plotë të parkut”.
Dhe në fund kërkohet që Komiteti i Përhershëm i Konventës së Komitetit të Bernës të mbahet i informuar për zbatimin e këtyre rekomandimeve.
Çështja e devijimit të Radikës shkaktoi dhe protesta të shumta të banorëve të Dibrës së Madhe, por edhe të ekologjistëve shqiptarë që dhanë alarmin për shkatërrim të Parkut të Mavrovës si dhe të florës e faunës së tij.
Projekti i Shkupit zyrtar parashikonte të përdorte ujin e lumit Radika, i cili do të devijohej në Vardar për të përfunduar më pas në zonën e Mavrovës.
Sigal