NATO, thirrje për përgjigje globale ndaj Koresë së Veriut

512
Aleanca e Natos bëri thirrje për një përgjigje globale ndaj provës së fundit me raketa të Koresë së Veriut. Sekretari i Përgjithshëm i Natos, Jens Stoltenberg tha sot në Twitter se, “Prova me raketa e Koresë së Veriut është një tjetër shkelje e hapur e rezolutave të OKB-së – një kërcënim madhor i paqes dhe sigurisë ndërkombëtare që kërkon një përgjigje globale”.
Prova e Koresë së Veriut me një tjetër raketë, këtë herë mbi Japoni sot paradite, solli një përgjigje si nga Japonia ashtu edhe nga Koreja e Jugut.
Lëshimi pasoi sanksionet e reja të Kombeve të Bashkuara mbi Phenianin për kryerjen e provës së gjashtë bërthamore…
Një paralajmërim përmes altoparlantit u bëri thirrje njerëzve të shkonin në vendstrehime pasi raketa e Koresë së Veriut fluturoi mbi ishullin verior japonez të Hokkaidos para se të binte në Oqeanin Paqësor.
“Do të vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin dhe koordinimin brenda bashkësisë ndërkombëtare për të nxitur Korenë e Veriut të përmbahet nga veprime të tilla. Kemi riafirmuar gjithashtu se do të mbajmë një qëndrim edhe më të vendosur përfshi atë përmes Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha sekretari japonez i kabinetit Yoshihide Suga.
Ushtria e Koresë së Jugut iu përgjigj provokimeve nga Veriu duke lëshuar një raketë Hyunmoo-II në det që fluturoi të njëjtën distancë që duhet për të arritur aeroportin Sunan në Phenian.
Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in bëri thirrje gjithashtu që Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mblidhet për të monitoruar situatën e sigurisë dhe të përgatitet për çdo kërcënim të ri që vjen nga Koreja e Veriut.
“Në këtë situatë, dialogu me Veriun është i pamundur. Koreja e Veriut do të përballet me sanksione dhe presion edhe më të fuqishëm nga komuniteti ndërkombëtar që do ta detyrojë vendin të ulet në dialog. Vendi ynë duhet të pajiset me aftësi mbrojtëse nga kërcënimet në rritje me raketa bërthamore të Koresë së Veriut dhe t’i eliminojë këto kërcënime duke u kundërpërgjigjur në rast të një provokimi ushtarak të Veriut ndaj nesh”, tha presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së takohet sot për provën e fundit të Koresë së Veriut, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë.
Ndërsa zyrtarët amerikanë thonë se preferojnë zgjidhje diplomatike të krizës bërthamore, përdorimi i forcës ushtarake është gjithashtu një mundësi.
Sigal