NATO është gati të patrullojë detin Egje për të frenuar trafikun e qënieve njerëzore

558
NATO është gati të patrullojë detin Egje për të frenuar trafikun e qënieve njerëzore nga Turqia drejt Greqisë.
Deklarata vjen nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter, në përgjigje të kërkesës së vendeve anëtare të Aleancës, si Turqia, Gjermania dhe Greqia.
Në një konferencë për shtyp, kreu i Pentagonit tha se planet do të hartohen nga autoritetet ushtarake të Aleancës dhe më pas do të implementohen.
Carter nënvizoi se goditja e grupeve kriminale që shfrytëzojnë këta njerëz të varfër do të ishte impakti humanitar më i madh në këtë krizë të rëndë.
Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, rreth 75 mijë emigrantë dhe refugjatë kanë mbërritur tashmë në Greqi përmes detit që nga fillimi i vitit të ri.
Organizata ndërkombëtare e emigracionit deklaroi se 409 emigrantë kanë humbur që prej fillimit të 2016 dhe në 6 javët e para të tij numri tyre ka qenë 10 herë më i lartë krahasuar me të njëtën periudhë të një viti më parë.
Më shumë se tre të katërtat e vdekjeve kanë ndodhur në rrugën e shkurtër detare që lidh Turqinë me brigjet greke, e cila që prej fillimit është konsideruar më e rrezikshme se rruga që lidh Libinë me Italinë.
Ndërkohë Ministrat e Mbrojtjes së NATO-s po takohen në Bruksel në ditën e dytë të samitit ku po diskutojnë strategjitë e aleancës kundër luftës hibride.
Ministrat e Mbrojtjes të mërkurën u pajtuan me hapat e guximshëm të NATO-s për të penguar çdo agresion të mundshëm që mund të vijë nga Rusia. Një total 49 vende, përfshirë 28 aleatët e NATO-s, janë ftuar të marrin pjesë në takim
Sigal