Myslimanët kanë përgjegjësi të veçantë në luftën kundër terrorizmit

519
Nga Fethullah Gylen*
POLITICO EU
SAJLORSBURG, PENSILVANI — Sulmet barbare dhe çnjerëzore në Londër dhe Mançester, ku humbën jetën civilë të pafajshëm, janë të fundit e një serie të gjatë të akteve të pakuptimta dhe të dhunshme të kryera nga i ashtuquajturi Shteti Islamik, një grup që nuk meriton asnjë përcaktim tjetër veçse atë një organizate kriminale dhe çnjerëzore. Në përgjigje të këtij kërcënimi, bota myslimane mund dhe duhet të ndihmojë shërbimet e inteligjencës dhe ato të sigurisë, që të parandalojnë dhe të shmangin sulme të tjera të ngjashme në të ardhmen si dhe të eliminojnë çdo mundësi për përsëritjen e kërcënimeve të tilla në të ardhmen. Që nga themelimi i saj nga shpërbërja dhe mbetjet e Al Kaedës në Irak, ISIS përmes manipulimeve ka shkaktuar vdekjen e shumë njerëzve të pafajshëm. Duke përdorur emrin e ndritur të Islamit për qëllime politike, pavarësisht pretendimeve të tyre, ISIS ka nëpërkëmbur fytyrën e ndritur të Islamit dhe vlerat që Islami përfaqëson. Veshjet e anëtarëve të këtij grupimi, flamujt dhe parullat nuk mund të fshehin asesi tradhtinë e neveritshme të frymës fesë islame. Lufta ndaj këtij grupi barbarësh, të shtrirë në një hapësirë të caktuar gjeografike, të cilët pretendojnë që të krijojnë shtetin e tyre – një nga elementët kryesore të propagandës së tyre që i adresohet rekrutëve potencialë – duhet të jetë një objektiv i rëndësishëm i të gjithë myslimanëve në mbarë botën. Por, kjo çështje ka dimensione të tjera dhe nuk mund të zgjidhet vetëm me mjete ushtarake. ISIS dhe grupet e tjera të ngjashme me të, rekrutojnë të rinjtë myslimanë që ndihen të izoluar, duke u ofruar atyre një ndjenjë të rreme të qëllimeve dhe i shtyjnë ata që t’i shërbejnë ideologjive totalitare. Ky është një problem me dimensione fetare, politike, psiko-sociale dhe ekonomike, ndaj dhe zgjidhje e këtij problemi duhet të jetë shumë dimensionale dhe e gjithanshme. Kjo kërkon që komunitetet lokale dhe institucionet qeveritare të adresojnë çështje strukturore të tilla si ai i diskriminimit dhe përjashtimit. Organizatat ndërkombëtare duhet të mbrojnë qytetarët ndaj persekutimeve të dhunshme, të ngjashme të dëshmuara në Siri dhe të ndihmojnë duke nxitur një tranzicion të butë drejt qeverisjeve demokratike. Qeveritë perëndimore, gjithashtu, kanë një përgjegjësi të rëndësishme që të adoptojnë një politikë të jashtme më etike dhe më të qëndrueshme. Besimtarët myslimanë dhe organizatat myslimane mund dhe të duhet të jenë pjesë e këtyre përpjekjeve të gjithanshme, por ne gjithashtu kemi një rol dhe përgjegjësi të veçantë në këtë luftë. Myslimanët në mbarë botën duhet të forcojmë sistemin imunitar të komuniteteve tona, veçanërisht atë të të rinjtë tanë, kundër ekstremizmit të dhunshëm. Ne duhet të shtrojmë pyetjen: Si është e mundur që komunitetet tona janë shndërruar në baza potenciale për rekrutimet nga grupet terroriste? Sigurisht që ekzistojnë dhe faktorë të jashtëm që duhen zgjidhur, por pikësëpari ne myslimanët duhet të analizojmë me kujdes faktorët e brendshëm. Autokritika është pjesë e rëndësishme e etikës islame. Por, ndërkohë dhe prindërit myslimanë, mësuesit, drejtuesit e komuniteteve fetare dhe imamët, duhet të kontribuojnë në mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve tanë. Dhe një nga detyrat tona më të rëndësishme është dhe të luftojmë dhe të mundim çdo ide ekstremiste. Një nga gabimet e përbashkëta të ideologjive të ekstremit të dhunshëm është dhe shkëputja nga konteksti e mësimeve të Kuranit dhe të Profetit (paqja qoftë mbi Të), të cilat i përdorurin në shërbim të qëllimeve të tyre të paracaktuara. Ideologët e këtyre organizatave, shkëpusin nga kontesti një pasazh nga jeta e Profetit dhe shokëve të Tij të nderuar dhe i këto pasazhe i përdorin si instrument për të justifikuar veprimet e tyre. Antidoti është implementimi i një programi edukimi fetar që mëson traditën profetike në një mënyrë holistike dhe kontekstuale. Për t’i rezistuar mashtrimeve të ideologjive radikale, të rinjtë myslimanë duhet të kuptojnë frymën e shkrimeve të shenjta dhe parimet gjithëpërfshirëse të jetës së Profetit tonë. Ne duhet t’u mësojmë të rinjve tanë historinë e plotë dhe të saktë të asaj se si Profeti (paqja qoftë mbi Të) e nxori shoqërinë ku ai jetonte nga injoranca dhe dhuna dhe i dha jetë një shoqëri me norma etike të përbashkëta në përputhje me vlerat e besimeve abrahamike. Një edukim fetar tërësor, duhet të fillojë me angazhimin për respektimin e dinjitetin të çdo personi si një krijesë unike e Zotit, pavarësisht besimit të tyre. Zoti thotë në Kur’an: “Ne, vërtetë nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit)” (Kurani, 17:70), i gjithë njerëzimi është i nderuar. Kur’ani përshkruan vrasjen e një personi të pafajshëm si një krim kundër gjithë njerëzimit (Kur’ani, 5:32). Madje edhe në një luftë legjitime mbrojtëse, mësimet e Profetit në mënyrë specifike ndalojnë dhunën kundër çdo civili, veçanërisht grave, fëmijëve dhe klerikëve. Besimi se dikush mund të hyjë në parajsë duke vrarë të tjerët, është kryekëput një mashtrim. Ekstremistët e dhunshëm gjithashtu bëjnë një tjetër gabim të madh: ata përdorin verdiktet fetare të Mesjetës, ku rivalitetet politike shpesh ishin të përziera me dallimet fetare, jashtë kontekstit dhe rrethanave të shekullit të 21-të. Sot, myslimanët janë të lirë për të praktikuar fenë e tyre në vendet demokratike dhe laike. Vlerat e qeverisjeve pjesëmarrëse përputhen me idealet thelbësore myslimane të drejtësisë sociale, sundimin e ligjit dhe vendimmarrjes kolektive dhe barazisë. Myslimanët mund të jetojnë si qytetarë me të drejta të barabarta dhe mund të kontriubuojnë në vendet demokratike në mbarë botën. Në mënyrë pro aktive, ne duhet të zhvillojmë mënyra pozitive për të përmbushur nevojat sociale të rinisë sonë. Grupet e të rinjve duhet të inkurajohen që të marrin pjesë në mënyrë vullnetare në projekte të ndryshme humanitare për të ndihmuar viktimat e fatkeqësive dhe konflikteve të dhunshme. Duke i mësuar ata që të ndihmojnë të tjerët, ne do t’u mundësojmë atyre mjetet e duhura për të fuqizuar veten dhe të ndihen pjesë e diçkaje kuptimplote. Ne gjithashtu kemi një detyrë të rëndësishme dhe t’i ndihmojmë që të angazhohen për të dialoguar me pjesëtarët e besimeve të tjera për të ushqyer mirëkuptimin dhe respektin reciprok. Si myslimanë, ne nuk jemi vetëm anëtarë të një bashkësie besimi, por të familjes së njerëzimit. Që nga vitet 1970, pjesëmarrësit e lëvizjen sociale Hizmet – e cila ka kuptimin e shërbimit – kanë themeluar më shumë se 1.000 shkolla moderne laike, qendra kursesh pa pagesë, kolegje, spitale dhe organizata humanitare në më shumë se 150 vende. Duke lehtësuar dhe duke nxitur përfshirjen e studentëve dhe profesionistëve të rinj në ofrimin e këtyre shërbime, mentorimin, ndihmën ndaj shtresave të ndryshme, këto institucione dhe rrjetet e tyre sociale nxisin një ndjenjë identiteti, përkatësie, kuptimi dhe fuqizimi dhe janë një antidoti ndaj premtimeve të rreme të ekstremistëve të dhunshëm. Në të vërtetë, mënyra më e mirë për të mbrojtur në mënyrë proaktive të rinjtë tanë, është t’u sigurojmë atyre një kundër-narracion pozitiv. Duke ofruar mundësi për mësimin e gjuhës dhe shkëmbimet kulturore, këto institucione edukojnë një pikëpamje pluraliste, mendim kritik dhe ndjeshmëri. Si pjesë e ritualeve të tyre të përditshme, myslimanët praktikantë i luten Zotit që t’i udhëzojë ata “në rrugën e drejtë”. Sot, rrugë e drejtë do të thotë analizimi dhe të kuptuarit e vlerave thelbësore të besimit tonë, mënyrën se si ne i mishërojmë këto vlera në jetën tonë të përditshme dhe të forcojmë rezistencën e të rinjve tanë ndaj ndikimeve që bien ndesh me këto vlera. Të qenit pjesë e përpjekjeve mbarëbotërore për të parandaluar radikalizmin të dhunshëm fetar nga përsëritja e mizorive të Londrës dhe Mançesterit, është njëkohësisht një përgjegjësi njerëzore dhe fetare.
*Fethullah Gylen është dijetar, predikues dhe avokat i çështjeve sociale.
Sigal