Mustafa: Vendet e BE-së po i hapin rrugën evropiane Kosovës

408
Vendimi i sotëm i Këshillit të Bashkimit Evropian për miratimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe BE-së dhe caktimi i datës 27 tetor për nënshkrimin e saj, për Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, “është një lajm i pritur me vite dhe është kontribut i një pune disavjeçare i institucioneve të Kosovës, shoqërisë civile dhe qytetarëve në përgjithësi, në partneritet me miqtë ndërkombëtarë”. “Falënderoj 28 vendet anëtare të BE-së që po i mundësojnë Kosovës nënshkrimin e MSA-së dhe po rikonfirmojnë edhe një herë se për të ardhmen evropiane të Kosovës, Bashkimi Evropian është unik”, deklaroi kryeministri Mustafa. Qeveria e Kosovës zotohet se do t’i zbatojë të gjitha pikat e MSA-së, të cilat e bëjnë gradualisht tregun tonë, pjesë të pandashme të një tregu prej më tepër se 508 milionë banorë.
“Me këtë marrëveshje, ne do të dëshmojmë se jemi partner serioz i Bashkimit Evropian dhe ndajmë vlera të përbashkëta evropiane”, ka thënë Mustafa.
Sipas Mustafës, MSA do të inkurajojë investimet e jashtme në Kosovë, sepse prodhimet “Made in Kosova” do të kenë qasje në një treg shumë të gjerë. Për t’u përballur me konkurrencën në rritje, Komisioni Evropian nëpërmes fondeve të Instrumentit të Para-anëtarësimit (IPA II) do të investojë mbi 600 milionë euro deri në vitin 2020, për të rritur kapacitetet konkurruese të Kosovës në tregjet evropiane. Mustafa tha se “zhvillimi Ekonomik dhe axhenda evropiane janë boshti i programit qeverisës, që po zbatohet në Kosovë”. “Raporti i Progresit i Komisionit Evropian do të jetë axhendë prioritare e institucioneve tona, posaçërisht në fushën e zhvillimit ekonomik, inkurajimin e investimeve të jashtme, vazhdimin e reformës në administratën publike, lirinë e shprehjes, luftimin e krimit dhe korrupsionit etj”, shtoi ai.
“MSA e rikonfirmon fuqishëm përcaktimin e qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike dhe politike, për një vend të merituar në familjen evropiane. Kosova, sikur edhe në të kaluarën, do të dëshmojë vlera evropiane dhe do të jetë kontributdhënëse e paqes në rajon dhe më gjerë. Nëpërmes MSA-së dhe rekomandimit pozitiv që presim të marrim për liberalizimin e vizave, BE po dëshmon se Kosova do të jetë pjesë e aspiratës së përbashkët të Ballkanit, për të qenë të bashkuar në familjen evropiane”, përfundoi Mustafa.
Sigal