Mustafa shkarkon Jabllanoviç, ‘Nga sot jo më pjesë e qeverisë’

441
Sigal

Ministri serb për kthim dhe komunitete në qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviç nuk është më pjesë e qeverisë. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në një konferencë për shtyp ka njoftuar largimin nga qeveria të Jabllanoviç.

Vendimi për largimin e tij nga qeveria e Kosovës pason protestat e organizuara nga partitë politike në opozitë, për shkak të një deklarate që Jabllanoviç kishte bërë më 6 janar.

Ai i kishte cilësuar si “egërsira” protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse.

Më 27 janar, në protestat që u mbajtën në Prishtinë, situata përshkallëzoi në në përleshje të rrepta ndërmjet protestuesve dhe policisë, me dhjetëra persona të lënduar nga të dyja palët.

Opozita ka vendosur ditë më parë që protestën e radhës ta mbajë të mërkurën, më 4 shkurt, në kërkim të shkarkimit të zotit Jabllanoviq, por edhe në kërkim të një ligji të veçantë nëpërmjet të të cilit kombinati metalurgjik “Trepça” do të shëndërrohej në ndërmarrje publike .