Mustafa: Prioriteti kryesor i Kosovës, zhvillimi ekonomik

425
Prioriteti kryesor i qeverisë së Kosovës për këtë vit është zhvillimi ekonomik, theksoi sot kryeministri Isa Mustafa, ndërsa kërkoi përkushtim maksimal të të gjitha instancave në këtë rrugë, e cila do të krijojë mundësi për hapje të vende të reja të punës dhe zhvillim të vendit.
Kryeministri Mustafa, i shoqëruar nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka pritur në takim me George Karagutoff, drejtor i Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) dhe Enver Halimin, kryesues i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ku janë trajtuar problemet e ngritura nga bizneset kosovare që kanë të bëjnë me aspektet operacionale e teknike të KEDS-it dhe çështjet e tarifave që ndërlidhen me ZRRE-në.
Gjatë takimit, Mustafa vuri theks të posaçëm avancimit të mëtejshëm të ambientit të të bërit biznes në Kosovë, ku rol të rëndësishëm kanë edhe Zyra e Rregullatorit dhe distributori i energjisë, KEDS, si dhe theksoi shqetësimet reale dhe vështirësitë me të cilat po përballen bizneset që lidhen me problemet me energjinë elektrike, kryesisht rreth instalimeve të reja që ndërmerren nga vet bizneset dhe tarifat për kyçje në energji elektrike.
Përfaqësuesit e KEDS-it shprehën qëndrimin e tyre se disa nga vërejtjet e mëparshme të bizneseve janë adresuar, por se mbetet në përgjegjësi të rregullatorit që të adresoj çështjet tarifore, maxigrafin dhe të ngjashme.
Sigal