Mustafa: Për Brukselin nuk kemi vendosur akoma, opozita të përgatitet për zgjedhje në 2018

496
Kryeministri Isa Mustafa beson se deputetët e partisë së tij do të jenë të unifikuar për zgjedhjen e Presidentit të vendit, duke bërë me dije se LDK-ja do ta respektojë marrëveshjen sa i përket zgjedhjes së Hashim Thaçit President.
Mustafa:“Pa marrë parasysh disa deklarata individuale, besoj se deputetët e LDK-së, si gjithherë, do të jenë unikë në vendimet që lidhen me kredibilitetin e zotimeve tona dhe me stabilitetin e vendit. Nevojitet që kjo të bëhet mbi një marrëveshje, e cila, në rastin konkret, ekziston. Të gjithë neve përkrahim disa individë më shumë e disa më pak. Në asnjë rast nuk e gjejmë dikë që u pëlqen të gjithëve. Z. Thaçi ka marrë pjesë në të gjitha zgjedhjet parlamentare dhe ka votat e një numri të konsiderueshëm të qytetarëve. Ndërkaq, figura unifikuese është vështirë të kërkohet dhe të gjendet vetëm te individët. Roli unifikues është institucion që siguron Kushtetuta. Presidenti që nga momenti që zgjedhet ka për detyrë t’i përmbahet këtij roli dhe të zhvillojë politika të paanshme”.
Mustafa ka thënë për ‘Epokën e re’ se nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga posti i Kryeministrit pavarësisht thirrjes së opozitës.
Ai e ka porositur opozitën të përgatitet për zgjedhjet e vitit 2018 jo me molotov, gaz lotsjellës, gurë e veprime brutale, por duke ofruar argumente se ajo mund të qeverisë.
Mustafa: “Opozitës do t’i preferoja të përgatitet për zgjedhjet e vitit 2018 jo me molotov, gaz lotsjellës, gurë e veprime brutale, por duke ofruar argumente se ajo mund të qeverisë. Për fat të keq, qeverisja e VV-së në Prishtinë është për t’u vajtuar. Ata po e qeverisin Prishtinën nëpërmjet demolimit të qytetit. Prandaj, pasqyra se çfarë ata i ofrojnë Kosovës është më se e qartë: dhunë, mashtrime, propagandë”.
Duke folur për raundin e ri të dialogut në Bruksel më 27 janar, Mustafa ka thënë se pjesëmarrja e Kosovës në këtë takim ende nuk ka një përgjigje përfundimtare.
Ai thotë se pret reflektim të BE-së për liberalizimin e vizave pas përmbushjes së rekomandimeve të fundit.
Mustafa: “Pjesëmarrja jonë ende nuk është përfundimtare, por po bisedojmë me partnerët tanë strategjikë lidhur me këtë. Ne kemi nevojë ta sqarojmë agjendën e dialogut, sidomos implementimin e marrëveshjeve nga Serbia, por edhe të çohen përpara proceset e tjera integruese, siç është liberalizimi i vizave. Unë pres reflektim të BE-së për liberalizimin e vizave pas përmbushjes së rekomandimeve të fundit”.
Sigal