Mustafa: Nga sot fillojmë riprocedurimin e ligjit për Specialen

460
Qeveria e Kosovës ka filluar mbledhjen urgjente të saj, ku kryeministri Isa Mustafa deklaroi se edhe pse nuk është arritur vendimi për ndryshimet kushtetuese, është arrit vullneti i shumicës dhe kjo i bënë të vazhdojnë në përmbushjen e synimeve të tyre. Ai tha se do të vazhdojnë edhe më tutje të përmbushin detyrimet e tyre dhe do të bashkëpunojnë me të gjithë deputetët e Kuvendit për të rikthyer riprocedimin në mënyrë që të përmbushin detyrat si shtet. “Do të fillojmë nga sot bisedimet për riprocedurim me deputetët dhe faktorët ndërkombëtarë sepse është vullnet i shumicës së deputetëve dhe i qytetarëve”, tha ai. Ndërsa zv/kryeministri Hashim Thaçi tha se është jetike të themelohet kjo gjykatë dhe e mbështes vendimin për riprocedurimin e këtij ligji.
Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se mosmiratimi i djeshëm në Kuvendin e Kosovës i ndryshimeve kushtetuese që do të hapnin rrugë për miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe Ligjit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar potencialë në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, nuk i shërben interesave madhore të Kosovës. Në një njoftim për shtyp të qeverisë theksohet se “qeveria e Kosovës, mbetet e përkushtuar të punojë deri në përmbushjen e plotë të detyrimeve që derivojnë nga letërkëmbimi ndërmjet Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Baroneshës Catherine Ashton si dhe fton të gjitha institucionet që t’i kontribuojnë përmbushjes së këtij detyrimi dhe të mbrojnë interesat e shtetit të Kosovës”. 
Kuvendi i Kosovës me 75 vota pro, 7 kundër, 2 abstenime nuk e miratoi propozim-amendamentin nr. 24 në Kushtetutën e Republikës, krijimin e Gjykatës Speciale. Për miratim duheshin së paku 80 vota të Kuvendit 120 anëtarësh, përfshirë këtu edhe dy të tretat e 20 deputetëve të komuniteteve pakicë. Mungonin së paku 5 vota për miratim. Ndërsa më shumë se 5 mungonin votat pro të deputetëve nga partia më e madhe e koalicionit qeverisës, PDK – 7 ishin kundër e 2 abstenuan.
Sigal