Musolini i mburret Hitlerit: Pushtova Shqipërinë, tani Greqinë

566
Sigal

Mediat britanike denoncojnë garën e Diktatorëve 

Mediat britanike, të cilat ndodhen në arkivat e Londrës, kurajoze dhe të guximshme, kanë denoncuar qysh para 7 prillit, por edhe pas asaj date, atë që quhej “Gara e Diktatorëve”. Kjo ka ndodhur edhe në  javën e parë të pushtimit të Shqipërisë, kur Musolini në një deklaratë për shtyp dhe në një bisedë telefonike me Hitlerin, i deklaronte atij se “Pushtova Shqipërinë, tani radha e Greqisë”. Padyshim Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe ishin dy shtetet e para që dënuan dhe kurrë nuk u pajtuan me pushtimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste e Musolinit. Në arkivat Britanike dhe të SHBA-së, gjenden edhe sot dosjet zyrtare, të cilat kanë deklarimet publike të ministrave të Jashtëm të këtij vendi që vendosi fatin e Luftës Dytë Botërore, ku dënohet dhe denoncohet hapi fatal i Musolinit ndaj vendit tonë. Gjithashtu veçanërisht Britania e Madhe, përmes Ministrisë së Jashtme në 16 prill 1939, ka dënuar aktin e pushtimit. Shtypi britanik i atyre ditëve shkruan se, “pas kushteve të imponuara e pushtetit politik, mundësitë e Musolinit për të pushtuar Shqipërinë kanë qenë të planizuara qysh në vitin 1926, ndaj ai bëri, atë që kishte planifikuar ta bënte”. Duçja ishte xheloz dhe mendonte se, Gjermanisë së Hitlerit po i vinin të gjitha të mirat dhe se, tani është radha e Italisë Fashiste për të treguar fuqinë e saj ushtarake ndaj një shteti si Shqipëria. Për analistët politikë të asaj kohe “Shqipëria ishte pushtimi më i lehtë italian, pasi në Abisini, ajo kishte hasur në qëndresë të fuqishme popullore, duke pësuar edhe humbje të mëdha”.

Duçja: “Shqipëria, trampolina drejt Ballkanit e Lindjes”

Për Musolinin, “Shqipëria ka qenë vazhdimisht shumë e rëndësishme për Italinë, në synimet e saj për të avancuar thellë drejt Ballkanit e Lindjes dhe fillimisht drejt Greqisë”. Tre dekada më parë, Italia e kishte pushtuar Shqipërinë gjatë Luftës së Parë Botërore, kur ajo parandaloi krahun e majtë të frontit të aleatëve që luftonin në Serbi. Ky vend ka derdhur shuma të mëdha për të krijuar një pikëmbështetje të përhershme në këtë vend. Pushtimi u mundëson atyre një pikë strategjike në detin Adriatik dhe katër pikat  portuale si Saranda, Durrësi, Vlora dhe Shëngjini, për t’i kthyer në baza ushtarake. Asnjëri nga portet e Shqipërisë nuk ishte asokohe port i kompletuar, por i Vlorës për shkak të thellësisë mund të kthehej në port për anijet e mëdha, duke ndërtuar një infrastrukturë moderne për kohën. Realisht Musolini dërgonte urdhra dhe radiograme për të shpejtuar ngritjen e bazave ushtarake në portet shqiptare. Synimi ishte pushtimi brenda 35 ditëve i Greqisë.

Italia shpall “pavarësinë” nga Raihu

Pushtimi i Shqipërisë do të thotë për Italinë rishpallje e pavarësisë e saj, pra, marrja de facto dhe de jure, e Kosovës dhe Çamërisë. Duke bërë diçka të tillë, Musolini dëshironte, pas krahëve të mikut të tij Hitler, të ndihmonte Jugosllavinë për t’i rezistuar mësymjes ushtarake gjermane, e cila kërkon t’i drejtohet Mesdheut e Afrikës. Ky qëllim i Musolinit kishte prirje të shkonte më tej, në pretendimin që lëvizja e Italisë është përgjigja ndaj negociatave të Britanisë së Madhe me bllokun e Ballkanit për ndihmë reciproke. Padyshim ai ishte faktor kontribuues, por i pashpresë për Jugosllavinë për t’i rezistuar Gjermanisë, e cila hyri në Beograd vetëm me tre tricikla, por pa harruar luftën e madhe në kufirin e saj verior. Nga ana e saj, Italia ka angazhime të reja duke përdorur fillimisht forcën e marinës detare. Por Italia tani ka forca të mëdha edhe në Etiopi, Libi, Spanjë dhe Shqipëri, pa përmendur garnizonet e Dhodhekanisas në Greqi, Sardenjën dhe Majorkë. Sipas analistëve të asaj kohe, “mbetet absurde dhe e  pakonceptueshme që 120 nëndetëset dhe bombarduesit e Musolinit të mund t’u shmangen anijeve të Flotës Mbretërore dhe të SHBA dhe të sigurojnë detin, nga ku mund të furnizojnë ushtrinë e tyre, e cila mbetet jo me optimizëm të lartë, si Armata e Hitlerit”.

Përgatiti: Tefik Osmani