Mungesë progresi, OKB pezulloi përkohësisht bisedimet për paqen në Siri

493
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka pezulluar bisedimet që synojnë të risjellin paqen në Siri pas 5 vitesh konflikt të armatosur mes frocave qeveritare dhe rebelëve.
I dërguari i OKB-së Stefan De Mistura deklaroi nga Gjeneva se pezullimi i përkohshëm vjen si pasojë e mungesës së progresit gjatë javës së fundit. Ai po ashtu theksoi se ky pezullim nuk do të thotë se bisedimet kanë dështuar, megjithëse palët duhet të tregojnë se janë të intersuara për një dialog politik dhe jo të qëndrojnë të heshtur ashtu si ndodhi gjatë seancave të fundit.
Plani i Kombeve të Bashkuara për Sirinë parashikon armëpushim në të gjithë vendin, një qeveri gjithë-përfshirëse, hartimin e një kushtetute të re, dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira brenda 18 muajve
Negociatat të cilat u hapën pak ditë më parë, tashmë pritet të rifillojnë më 25 Shkurt. Vendimi për të pezulluar bisedimet vjen në momentin kur qeveria siriane pretendon se pasi ka çliruar qytetet e Nubulit dhe Zahras ka bllokuar po ashtu burimet nga ku furnizohej me ushqim qyteti bastion i rebelëve , Aleppo.
Deri më tani më shumë se 250 mijë persona kanë humbur jetën në Siri si pasojë e konfliktit të armatosur mes qeverisë dhe rebelëve , i cili e pati zanafillën në Mars të vitit 2011, ndërsa 11 milion të tjerë janë detyruar të braktisin shtëpiat e tyre për të emigruar drejt vendeve të bashkimit europian.
Sigal