MSc. Albert HABAZAJ/ Pesëshja e pandarë çame për çështjen kombëtare

705
Sigal

Ibrahim Banushi, Nuredin (Dino) Isufi, Skënder Beqiri, Servet Iljazi dhe Fadil Zeqiri, u bënë flakadanë të Çështjes Çame

Në kujtesën sociale të komunitetit çam në Vlorë është e pashlyeshme pozitivisht puna e pashembullt që ka bërë pesëshja e parë e çamëve më të përkushtuar, në shërbim të çështjes kombëtare, për vlerat morale të trevës së tyre emërmadhe, për traditat, doket, për historinë dhe kulturën çame, ruajtur e transmetuar brez pas brezi, kudo ku kanë banuar, kudo ku kanë punuar, herë trajtuar si muhaxhirë, herë si zot shtëpie, si ai deti me lule dhe furtunë… Po kush janë emrat e kësaj pesëshja të pandarë, që u tretën në kohë të reja për Mëmën e xhanit, Çamërinë e tyre dhe tonën, për Çamërinë e Shqiptarisë?! Ibrahim Banushi, Nuredin (Dino) Isufi, Skënder Beqiri, Servet Iljazi dhe Fadil Zeqiri, u bënë flakadanë të çëshjes çame, qysh kur ishin ende të rinj, në fillimet e viteve ‘50 të shekullit XX, që lamë pas. Pesë djem nga Çamëria, si ato bletët e kosheres, që mbledhin nektar e prodhojnë mjaltë, punuan si ata dhe u bënë mishërimi i idealit kombëtar, i përparimit qytetar, i veprimit të guximshëm e i mendimit të mençur, në funksion të mbarësisë shqiptare.  Fillimisht, ishin katër shokë të ngushtë e besnikë tërë jetën për çështjen e mëmës Çamëri, të cilët i bashkoi Vlora me ardhjen  e tyre të dhembshme nga jugu mesdhetar, ku lanë vatrat e ngrohta familjare, shpërngulur e përzënë prej Çamërie barbarisht nga terrori i zi i klanit më mizor grek, në vitin 1944.  Brahimi, Dinua, Serveti dhe Skënderi nuk u ndanë gjatë gjithë jetës së tyre, duke patur një shoqëri të sinqertë, me përkushtim e ideale dhe e shtrinë atë edhe në familjet e njëri – tjetrit.  I pari, Ibrahim Banushi dhe më i mençuri, djalë nga katundi Arpicë e Çamërisë, tok me Nuredin Isufin, kishin qenë në Çamëri dhe kishin luftuar me armë në dorë për mbrojtjen e territoreve çame kundër bandave shoviniste greke. Agresorët i kapën dhe i internuan. Menjëherë, mbas internimit deri në gusht 1944 nuk i lëshuan armët nga dora për mbrojtjen edhe me gjak të tokave çame. Me ardhjen në Shqipëri, Brahimi rreshtohet në Brigadën V Sulmuese si partizan dhe lufton kundër nazizmit gjerman, që kishte pushtuar trojet shqiptare. Luftoi deri në Kosovë e në tokat jugosllave, ku u plagos dhe ngriu në borë, në malet e Jugosllavisë. Nga ajo luftë me ideale të larta e qëllime të pastra çlirimtare, Ibrahim Banushi mbeti invalid nga këmbët. Në vitin 1946, kthehet nga spitalet e Jugosllavisë, merr pjesë në ndërtimin e rrugës verilindore të Shqipërisë dhe vjen në Vlorë. Në vitin 1947, emërohet në punë, drejtor i Ndërmarrjes Rruga – Ura, detyrë të cilën  e ushtroi me devotshmëri e ndërgjegje  shembullore deri në vitin 1981. Atë vit, i rënduar dhe nga plagët e luftës, ndërroi jetë, duke lënë deri më sot në popull gjurmët e pashlyeshme të respektit. U përcoll me nderime dhe respekt të dhembshur qytetar. Fatkeqësisht, asnjë nga pushtetarët apo shtetarët nuk e kujton për kontributin  e tij në luftë dhe në punë. Është e çuditshme, me tërë mend, që për Brahimin nuk është dhënë asnjë vlerësim, edhe pse veteranët e LANÇ e kanë çuar propozimin atje ku duhet, qysh para 100- vjetorit të Pavarësisë, e kanë përsëritur edhe tani, në kuadrin e 70 vjetorit të Çlirimit

I dyti, Nuredin Isufi mbahet mend  si vullnetar në Brigadat e Rinisë Shqiptare për rindërtimin dhe ringritjen e Shqipërisë, shkatërruar nga Lufta e Dytë Botërore. Ka qenë vullnetar në ndërtimin e rrugëve në veri të vendit dhe në hekurudhën Durrës – Peqin, Durrës – Tiranë. Në vitin 1948, emërohet nëpunës i Gjendjes Civile në Vlorë dhe shef i këtij sektori të rëndësishëm, ku punoi me ndershmëri e përgjegjësi, vërtet si ai, kur thonë. Gjithë koha 50- vjeçare, që kaloi ka shënimet e tij të sakta e korrekte, fakt që ka evidentuar punën e tij të mirë dhe të dobishme në qytetin dhe në  rrethin e Vlorës. Ky volum pune i duhur, i mirë dhe i dobishëm është i verifikueshëm, sepse regjistrat që ka plotësuar Dinua janë edhe sot në përdorim të përditshëm. Është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Dinua rron, është 91 vjeç, në moshën e bardhë të pleqërisë.

I treti, Servet Iljazi ka punuar në sektorë të ndryshëm dhe të vështirë, ku është dalluar për punë cilësore dhe përkushtim ndaj detyrës, sikur punonte për shtëpinë e tij. Ka punuar edhe si shofer në ndërmarrjet shtetërore, deri sa doli në pension, në vitin 1990. Bashkëmoshatarët e paktë që kanë ngelur, kujtojnë me mall e respekt vite e stuhishme në aksionet e rinisë mbas Çlirimit, për rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta, ku kontributi i Servetit dukej, sepse ai punonte një sa për 10 vetë. Mbylli sytë në vitin 1992.

I katërti, Skënder Beqiri, qysh në vitin  1946 qe nga dallëndyshet e para të Vlorës që doli vullnetar dhe ka marrë pjesë në ndërtimin e hekurudhës  Durrës – Peqin, Durrës – Tiranë. Me Brigadën “Misto Mame”  u nis në Jugosllavi vullnetar për hapjen e  autostradës  Beograd – Zagreb, ku punoi dy muaj në sektorë të ndryshëm të ndërtimit të rrugës. Nga viti 1950 ushtron profesionin e fotografit dhe vazhdon si përgjegjës i këtij sektori deri në vitin 1961. Në këtë kohë emërohet drejtor i Kino- klubit të Bashkimeve Profesionale të rrethit të Vlorës deri në gusht 1970. Nga kjo periudhë emërohet përgjegjës i ekspozitës “Vlora Sot”, deri në vitin 1990, kur doli në pension. Të katër, Brahimi, Dinua, Serveti dhe Skënderi, janë të dekoruar për punën përkushtuese, shpirtin e garës, vullnetarizmin dhe sakrificën e treguar në ndërtimin e Rrugës së Rinisë, si quhej atëherë Rruga Kukës – Peshkopi, në vitin 1946. Skënderi rron dhe bën një jetë aktive edhe sot që është 87 vjeç. Ai njihet si Marubi i Çamërisë dhe i Vlorës. Fotografët profesionistë që ngrihen do të krahasohen me Skënder Beqirin. Një merak ka Skënderi, që gjithë ky qytet i madh e me vlera të jashtëzakonshme historike, si Vlora nuk ka një fototekë. Fototeka e Vlorës është ëndrra, dhembja dhe amaneti i Skënder Beqirit.

I pesti, Fadil Zeqiri u lind në Kajcanj të Paramithisë së Çamërisë, më 15. 07. 1937. Shovinistët grekë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, i vranë prindërit dhe shumë të afërm të tij. Mbeti jetim dhe kështu detyrohet të vijë në Shqipëri. U strehua në Sarandë, në jetimore. Katër ditë udhëtoi për në Durrës e pastaj shkoi në Tiranë, ku dhe u rrit e u edukua në Shtëpinë e Fëmijës. Kreu Shkollën e Mesme “Skënderbej” dhe më pas, në Bashkimin Sovjetik, studioi për Marinë Detare. Pesë vjet i bëri atje, nga të cilat tre në Riga të Lituanisë dhe dy në Azerbaxhan për ABD dhe Marinë të Përgjithshme. Emri i tij ka qenë nderi i Sazanit, Karaburunit, Orikumit, Vlorës e Babicës, ku shërbeu me përkushtim e devotshmëri në funksion të forcave detare shqiptare. Pa u shkëputur nga puna studioi për Letërsi si dhe thelloi studimet duke përfunduar dhe Fakultetin Juridik. Për shumë vite ka qenë pedagog në Shkollën e Lartë të Marinës në Vlorë. Ishte kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të Shoqatës “Çamëria”, anëtar i kryesisë së Shoqatës Atdhetare – Kulturore Mbarëkombëtare “Ismail Qemali”, ku ka qenë i ndjeshëm qëndrimi i tij kombëtar, në shërbim të rritjes së ndjenjës së atdhedashurisë dhe respektimit deri në adhurim të simboleve të ndritura kombëtare si Pirro i Epirit, Gjergj Kastrioti, Hasan Tahsimi, Elena Gjika, vëllezërit Frashëri, Ismail Qemali, Isa Boletini e gjithë ata pishtarë drirëbërës për të orientuar shqiptarët në rrugën e diturisë, e lirisë, mirësisë e vëllazërisë, se vetëm ajo na sjell përparim. Fadil Zeqiri ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë qysh nga viti 1965. Ai ka debutuar kryesisht në prozë, por ka shkruar dhe poezi, skenarë filmash, ekranizuar a botuar sidomos për interesa të ushtrisë, në radhët e së cilës kaloi tërë jetën, qysh nga fëmijëria e derisa mbushi moshën e doli në pension. Në prozë ka nxjerrë në dritë nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” librat: “Midis dallgëve të oqeanit”, “Me vështrim nga deti” – tregime, “Shtegtimi i fundit” – roman, “Nëndetësja 61” – roman, “Dhembi i tretë” – tregime, “Udhëtim në një hambar” – tregime, “Shënjestra dhe manushaqja” – tregime, monografinë “Ilia Dashi”, kushtuar heroit nga Poro e Myzeqesë së Vlorës. U nda nga jeta më 2 gushtit 2008. Erdhi 6 vjeç në Vlorë. Fëmijërinë dhe jetën e tij me halle shumë e përshkruan me ndjenjë, vërtetësi, art e dhembje tek romani “Shtegtimi i fundit”. Jetimi çau mbi dallgët e jetës dhe iu bashkua grupit çam të Vlorës më vitin 1965. Ai u bë oficer marine dhe mori emër të lartë si një nga prozatorët më të mirë jo vetëm të Ushtrisë, por në mbarë botën e letrave shqipe. Fadili ngjante me një zgalem deti. Ai i dha impulse të fuqishme punës atdhetare jo vetëm të çamëve të Vlorës, por të mbarë Shqipërisë. Ai edukonte me veprim. Vrulli i vijueshëm i Fadilit dukej, edhe sepse ai shkruante bukur e mirë. Të pesë këta djemtë mirë Çamërie janë të shënuar në Regjistrin e Atdhetarizmës si pesë themeltarë të Shoqatës Patriotike “ÇAMËRIA”.