Mot i keq në SHBA, 5 viktima si pasojë e ngricës dhe akullit

465
Sigal

Autoritetet amerikane kanë njoftuar se stuhia dhe reshjet e mëdha të borës kanë shkaktuar vdekjen e të paktën pesë personave. Moti i keq ka përfshirë Kansasin, Nebraskan, Missourin, Iowan, Illinoisin dhe Indianan. Sipas mediave amerikane trashësia e borës ka shkuar në mbi 30 centimetra.

Viktimat u shkaktuan gjatë aksidenteve rrugore si pasojë e akullit në Kansas dhe Missouri. Në mesin e viktimave ishin një grua dhe vajza e saj 14-vjeçare, vetura e të cilave u përplas me një kamion të madh. Autoritet e Missourit kanë pranuar më shumë se tre mijë telefonata për ndihmë.

Gjatë të shtunës janë shënuar mbi 700 aksidente dhe 1300 vetura kanë dalë nga rruga. Njësitë policore të autostradave në Missouri kanë njoftuar se qarkullimi është vështirësuar dhe se vonesat për të arritur në destinacione të caktuara mund të jenë deri në tetë orë. Një rrugë në Indiana është bllokuar për disa orë pasi një kamion rrëshqiti dhe i bllokoi të gjitha korsitë e rrugës.

Stuhia ka filluar të zhvendoset në lindje, ku trashësia e borës në Washington DC pritet të shkojë në 25 centrimetra. Meteorologët kanë paralajmëruar se reshje më të mëdha bore do të ketë në Virgjinia. Guvernatori i Virgjinias, Ralph Northam, ka shpallur gjendjen e emergjencës mbrëmjen e të shtunës në mënyrë që vendi të përgatitet sa më mirë për këto kushte atmosferike, shkruan “The Guardian”.