Momenti i larjes së hesapeve për Afrin në Siri po afrohet. Në Ghouta 194 civilë të vrarë

749
Siria, forcat e Assad mbërrijnë në Afrin nën bombardimet turke. Erdogan gati për të vendosur tanket dhe për të filluar sulmin përfundimtar të enklavës kurde dhe premton se ofensiva e trupave të tij nuk do të ndalet deri pas shkatërrimit të kërcënimit “terrorist”. Ndërkohë në kështjellën e fundit në duart e rebelëve, beteja mes forcave të Bashar el-Assad dhe milicisë nuk ndalet.
Artileria turke ka bombarduar zona të enklavës kurde në veri të Afrin, ku është në tranzit autokolona e “forcave popullore” pro-siriane e drejtuar në drejtim të qytetit, kjo siç është raportuar nga Televizioni Shtetëror Sirian. Burimi tha se shpërthimet janë të përqendruara në afërsi të kalimit për Ziyara, në juglindje të Afrin, ku janë duke kaluar mjetet e milicisë pro-siriane. Lajmet nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur në terren por disa burime lokale konfirmojnë se forcat pro-qeveritare siriane tashmë kanë hyrë në qytet për tju kundërpërgjigjur ofensivës turke.
Në ditët në vijim, tanket turke do të vendosen rreth Afrin dhe sulmi përfundimtar do të fillojë, njoftoi Rexhep Tajip Erdogan. Presidenti turk vazhdon të përdorë tone agresive, duke premtuar se ofensiva e trupave të tij nuk do të ndalet deri sa të ketë arritur rezultatin e saj, domethënë, të fshijë çdo kërcënim “terrorist”. Në këtë kategori Erdogan përfshin si xhihadistët e Shtetit Islamik edhe militantët kurdë të Ypg, njësitë e mbrojtjes popullore që Ankaraja i konsideron të afërmit e PKK-së (Partia e Punëtorëve të Kurdistanit) së jashtëligjshme.
Pyetja është e detyrueshme: me të vërtetë Turqia ka ndërmend të sulmojë ushtrinë siriane, të përkushtuar për të mbrojtur kufijtë e tyre, duke rrezikuar një përshkallëzim që do jetë vështirë të kontrollohet? Përgjigja më e lehtë duket të jetë negative, të paktën nëse arsyetohet mbi parimin që në luftë, ai që ngre zërin, në të vërtetë nuk do të ngrejë shënjestrën. Dhe Ankaraja po përdor tone shumë të larta, deri atje sa tu thotë amerikanëve të largohen Manbij sa më shpejt që të jetë e mundur, për fazën tjetër të operacionit “Dega e ullirit”.
Por “njeriu i fortë” i Turqisë duket i vendosur të ecë përpara, i nxitur edhe nga refleksi i vet nacionalist, i cili imponon tonet e larta kërcënuese në politikën e jashtme në mungesë të zgjidhjeve politike për problemet e brendshme. Dhe pavarësisht ftesave nga bashkësia ndërkombëtare, Erdogan nuk ka ndërmend të vërë në diskutim rrjedhën e veprimeve të tij për të përballur çarjen e vendit apo edhe për të ngadalësuar në shtypjen e çdo zëri ndryshe.
Ndërhyrja ushtarake e Ankarasë po vë në një provë të vështirë marrëdhëniet tashmë të dobëta jo vetëm me Shtetet e Bashkuara, por edhe me Rusinë, një aleat kyç i Damaskut.
Në njëfarë kuptimi, presidenti turk është peng i vetvetes. Por jo ndryshe është pozita e Bashar Assad, i rihyrë në lojë falë mbështetjes ruse: madje as ai nuk mund të marrë një hap prapa, duke pranuar që turqit të operojnë me tanke dhe trupa tokësore brenda kufijve sirianë.
Përfundimisht, do të jetë në sallat e Kremlinit ku do të diskutohet për Afrin dhe Manbij. Vladimir Putin është një aleat i hekurt i Assadit, por ka forcuar megjithatë miqësinë me Erdogan: ai do të ndërmjetësojë për të shmangur një konfrontim të drejtpërdrejtë. Një marrëveshje midis turqve dhe sirianëve, nën mbikëqyrjen ruse, mund të shohë përsëri ëndrrat e kurdëve për autonomi, të sakrifikuara. Por prania e marinsave në Rojava, përveç se ndonjë surprize nga administrata Trump, e mban këtë lojë ende të hapur.
Ndërkohë, në Ghouta, që konsiderohet si fortesa e fundit në duart e rebelëve, beteja nuk ndalet dhe është rritur në 98, duke përfshirë 20 fëmijë dhe 14 gra, numri i të vdekurve në orët e fundit të sulmeve ajrore dhe artilerisë të qeverisë siriane në rajonin lindor të Damaskut, të rrethuar nga trupa besnike dhe të kontrolluara nga grupe të armatosura të opozitës. Observatori sirian për të drejtat e njeriut jep të dhëna prej 194 civilësh të vrarë që nga e diela. Dhe këto shifra dramatike – thekson Observatori – janë të destinuara të rriten sepse të plagosurit janë rreth 470, disa prej të cilëve në gjendje kritike. Për Kombet e Bashkuara “nuk ka më fjalë” për të shprehur zemërimin për vrasjen dhe vuajtjen e fëmijëve në Ghoutan Lindore. “Asnjë fjalë do të bëj drejtësi për fëmijët e vrarë, nënat e tyre, baballarët e tyre dhe të dashurit e tyre”, thotë një deklaratë e lëshuar nga Geert Cappelaere, drejtor i rajonit të UNICEF-it në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.


Sigal