Mogherini: Votoni demarkacionin me Malin e Zi, që të merrni liberalizim vizash

71
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Frederica Mogherini e beri të qartë në Prishtinë se pret lajme të mira nga Parlamenti i Kosovës për të ratifikuar demarkacionin me Malin e Zi. 
Kryediplomatja europiane u shpreh se pa demarkacion e pa luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk ka liberalizim të vizave. Moszbatimi i kushtit të demarkacionit është ai që shqetëson më shumë Mogherinin. Ajo sqaroi se është koha që kjo çështje të votohet në mënyrë që të mos e pësojë populli i Kosovës. 
“Është koha e fundit që të ecim përpara. Është koha që të votoni demarkacionin me Malin e Zi. Kjo do e zhbllokojë liberalizimin e vizave për Kosovën. Ne jemi të gatshëm për këtë. I mbetet Parlamentit të vendos”, tha ministrja e jashtme e bllokut europian në konferencën per shtyp me Isa Mustafen.
Mogherini u takua gjithashtu me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarin e Parlamentit, Kadri Veseli. Ajo ka në axhendë bisedime edhe me udhëheqësit e partive politike në vend, ndërsa më pas do të udhetojë drejt qytetit verior të Mitrovicës. 
Ndalesa e përfaqësueses së lartë europiane në Prishtinë erdhi në kohën kur në sheshet e kryeqytetit kosovar ka nisur grumbullimi i njerezve për protestën e organizuar nga AAk-ja në mbështetje të Ramush Haradinajt, e cila nis në orën 13.00.