Mogherini në Kuvendin e Kosovës: Mos e nënçmoni dhuratën që po ju jep BE

479
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politika të Jashtme, Frederica Mogherini në fjalimin e saj para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, tha se dhurata që Bashkimi Evropian po i jep Kosovës nuk duhet të nënçmohet. Ajo tha se axhenda evropiane është ajo që mban popujt e bashkuar, ndërsa tha se edhe pranimi në UEFA është meritë e përbashkët. “Axhenda Evropiane na mban të bashkuar. Nuk dua ta marrë meritën për UEFA-n, por dje arritët një sukses, dhe kjo falë punës tuaj së bashku me ne”, tha ajo.
Mogherini theksoi se vetëm një muaj më parë u prezantua Marrëveshja për Stabilizim-Asociimin, kurse dje u dha rekomandimi për liberalizimin e vizave. Këto sipas Mogherini janë suksese të mëdha për Kosovën, nisur se prej ku ka filluar rrugëtimin ky vend drejt Evropës. Mogherini tha se BE-ja po punon për paqen dhe pajtimin në Ballkan. “Bashkimi ynë ka të bëj për mirëqenien e njerëzve. Është e qartë se ne duhet të bëjmë shumë më tepër që të zhvillojmë ekonominë, ta luftojmë korrupsionin dhe njerëzve t’u afrojmë perspektivë më të mirë”, theksoi ajo. “Mos e nënçmoni dhuratën që po ju jep Bashkimi Evropian. Më lejoni të premtoj se do të vazhdojmë që ta bëjmë Kosovën më të mirë. Nga ana ime ky është një përkushtim”, vazhdoi Përfaqësuesja e Lartë e BE-së.
Sigal