Mogherini: Në Ballkan është bërë progres, Shqipëria meriton hapjen e negociatave

534
Sigal

“Komisioni Europian rekomandon hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe ky proces është i bazuar në meritë”, deklaroi sot Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini.

Pas interesit të gazetarëve lidhur me hapjen e negociatave për Shqipërinë por edhe për Maqedoninë, zyrtarja e lartë e BE tha se: “Le ta them qartë, ju e njihni rekomandimin sipas të cilit ne si Komision rekomandojmë hapjen e negociatave si me Shkupin ashtu dhe me Tiranën. Ky proces është i bazuar në meritë”.

Mogherini thekson se “kur ka progres, një gjë e tillë duhet njohur, inkurajuar dhe shoqëruar. Prandaj, unë shpresoj se vendet anëtare do të marrin vendimin e duhur”.

“Më lejoni të them, se në Ballkan ne shohim se është bërë progres i rëndësishëm. Unë isha dëshmitare e nënshkrimit të marrëveshjes për emrin dhjetë ditë më parë, një moment historik që duhet të mbështetet. Dje zhvillova një seancë shumë të mirë dialogu të nivelit të lartë mes Beogradit dhe Prishtinës që gjithashtu po shkon në një mënyrë shumë inkurajuese, të vështirë, por inkurajuese. Tani Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në që të jetë i qëndrueshëm dhe të mbajë fjalën”, u shpreh Mogherini.