Mogherini, Kosova hap jetik/ Britania, Gjykata Speciale në Hagë

422
Vendimi i Kuvendit të Kosovës për t’i hapur rrugë themelimit të Gjykatës Speciale për krimet e pretenduara të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është përshëndetur nga përfaqësues të shumtë ndërkombëtarë.  Përveç ambasadave kryesore të BE-së dhe asaj të SHBA-së letër përshëndetjeje ka dërguar edhe shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini. “Aprovimi i amendamenteve kushtetuese dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit Special në Kuvendin e Kosovës është hap jetik në ofrimin e kornizës së domosdoshme ligjore për adresimin e pretendimeve të rënda që dalin nga raporti i Këshillit të Evropës, si dhe zotimet e theksuara në Letërkëmbimet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2014”, tha ajo  Më tej Mogherini shtoi, se ky hap i deputetëve të Kuvendit të Kosovës nuk ishte i lehtë, ai është shenjë e përgjegjësisë dhe vendosmërisë për të nxjerrë të vërtetën dhe për të marrë vendime që janë në harmoni me rrugën evropiane të Kosovës. Shefja e diplomacisë evropiane, konfirmoi gjithashtu asistencës e BE në procesin e krijimit të mekanizmave të nevojshëm ligjor në mënyrë që të mund të mbahen procese gjyqësore të pavarura dhe të drejta. Ndërkohë Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe në reagimin e vet përshëndetës ka bërë publike se selia e Gjykatës Speciale do të jetë në Hagë. Megjithatë konfirmimi zyrtar për këtë fakt mungon. Kuvendi i Kosovës votoi ligjet për krijimin e Gjykatës Speciale për të hetuar pretendimet për krimet e luftës nga konflikti i vitit 1999.
Sigal