Mocioni për rrëzimin e qeverisë në Kosovë, Albin Kurti tregon qëndrimin e Vetëvendosjes

670
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka kërkuar zgjedhje të parakohshme në vend duke shprehur edhe qëndrimin e partisë së tij lidhur me moncionin për rrëzimin e qeverisë që është paralajmëruar nga LDK.
Ai thotë se e përkrahin për mocionin për rrëzim të qeverisë, duke numëruar madje arsyet pse “qeveria e shtrenjtë Haradinaj duhet të largohet”.
“Nenad Rikallo e Milan Radojçiç, shtimi enorm i posteve qeveritare dhe rritja e pagave vetvetes, diskreditimi i arsimit tonë nga BE-ja dhe rritja e papunësisë, Contour Global dhe ‘Demarkacioni’, e deri te dëbimi tinëz, në shkelje të ligjit e të drejtave të njeriut i 6 shtetasve turq, përgjegjësinë për të cilin nuk po e merr asnjë institucion i Kosovës, janë vetëm disa prej arsyeve pse kjo qeveri e shtrenjtë duhet të largohet”.
“Interpelancat për temat e ndryshme dhe Komisionet Hetimore Parlamentare që kemi inicuar janë dëshmi e opozitarizmit tonë dhe dëmeve të kësaj qeverie që duhet të shkojë. LV është për zgjedhje të parakohshme parlamentare sa më parë dhe për mocion për rrëzimin e qeverisë”, është shprehur Kurti në një postim në Facebook.
Sipas tij, shumica dërmuese e popullit dhe e deputetëve janë në opozitë.
Për më tepër Kurti konsideron se mbetja e kësaj qeverie në pushtet “është dhunim i demokracisë qytetare e parlamentare, i vullnetit të popullit e i interesit të përgjithshëm”.
“Nuk mund të mbetet shteti e populli peng as të qejfit të kryeministrit dhe as të frikës së presidentit”, ka thënë Kurti.
Sigal