Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius: Franca e palëkundur në ndëshkimin e autorëve të masakrës kimike në Siri

521
Sigal

Ambasada Franceze në Tiranë, nëpërmjet deklaratës së ministrit të Jashtëm francez, z. Laurent Fabius, ka bërë të ditur iniciativën e ndërmarrë nga shteti i Francës për paraqitjen e një rezolute në Këshillin e Sigurimit të Kombeve, lidhur me masakrën e 21 gushtit në Siri. Në fjalën e tij ai ka thënë:

 “Që nga dita e masakrës kimike të Damaskut, më 21 gusht, ne kemi ndjekur paralelisht dy synime, ndëshkimin e atyre që janë përgjegjës dhe marrja e masave në mënyrë që ata të mos mund ta përsërisin. Qëndrimi ynë i palëkundur e i matur na ka mundësuar të kemi mbështetjen e një numri shtetesh gjithnjë e më të madh dhe të ndikojmë mbi disa qëndrime të caktuara. Ministri i Punëve të Jashtme rus ndërmorri dje një hap në këtë drejtim, duke u bërë thirrje, po citoj,: “udhëheqësve sirianë që jo vetëm të pranojnë kontrollin ndërkombëtar të sasisë së armëve kimike dhe pastaj t’i shkatërrojnë, por edhe të bëjnë pjesë plotësisht në Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike”.

Ky qëndrim u mbështet sot edhe nga Kina. Ne e presim këtë pozicion të ri me interes, por edhe duke qenë të kujdesshëm. Ne nuk duam që ajo të përdoret si një manovër diversioni. Për këtë arsye, pas diskutimit me Presidentin e Republikës, ne kemi vendosur të marrim iniciativën. Franca do të paraqesë një rezolutë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në këtë drejtim dhe procedura do të iniciohet po sot. Teksti do të shqyrtohet dhe, nëse është e nevojshme, do të amendohet nga partnerët tanë dhe nga Këshilli i Sigurimit. Konkretisht, Franca do t’u propozojë sot partnerëve të saj në Këshillin e Sigurimit një projekt-rezolutë nën kapitullin VII, i cili synon që të konkretizohen menjëherë idetë e tij. Cilat ide?

– Së pari, të dënohet masakra e datës 21 gusht e kryer nga regjimi sirian;

– Së dyti, t’i kërkohet këtij regjimi të dorëzojë menjëherë programin e tij të armëve kimike, ta vendosë nën kontrollin ndërkombëtar dhe të çinstalohet;

– Së treti, të vendoset një sistem i plotë inspektimi dhe kontrolli të detyrimeve të tij nën drejtimin e Organizatës Ndërkombëtare për Ndalimin e Armëve Kimike;

– Së katërti, të parashikohen pasoja jashtëzakonisht të rënda në rast shkeljeje të detyrimeve nga ana e Sirisë ;

– Së fundi dhe së pesti, të dënohen autorët e masakrës kimike të 21 gushtit nga drejtësia penale ndërkombëtare

Vetëm në bazë të pranimit të këtyre kushteve të përcakuara qartë ne do të gjykonim mbi besueshmërinë e atyre gjërave që janë shprehur dje. Populli sirian ka vuajtur shumë, ne nuk do t’ia lejojmë vetes të biem në kurthin e taktikave vonuese, kështu që kemi nevojë të shohim rezultate të shpejta. Franca dëshiron të veprojë në mirëbesim në mënyrë që të mund të gjendet më në fund një përgjigje e vendosur, e saktë dhe e verifikueshme ndaj kërcënimit kimik sirian, me dy synimet që kishim që në fillim, ndëshkimi dhe mospërsëritja, dhe gjithmonë me të njëjtën metodë, palëkundëshmëri e matur” .