Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço takon Zv/Sekretarin e Shtetit z. William Brownfield

416
Sigal

Vazhdimësia e ndihmës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nëpërmjet programeve të asistencës ka qenë në qendër të diskutimit gjatë takimit të zhvilluar mes Ministrit të Drejtësisë z. Nasip Naço dhe Zv/Sekretarit të Shtetit z. William Brownfield. Kreu i drejtësisë shqiptare e informoi z. Brownfield mbi reformat e ndërmarra në sistemin e drejtësisë si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke e garantuar atë për vullnetin e qeverisë shqiptare në forcimin e sundimit të ligjit. Ndër të tjera Ministri Naço u ndal edhe tek procesi konsultativ me Komisionin e Venecias, ndërsa theksoi se përfundimi i paketës gjithëpërfshirëse të reformave synon përmirësimin e pavarësisë, përgjegjshmërisë dhe profesionalizimit të sistemit gjyqësor, përmirësimin e efiçencës së hetimeve anti-korrupsion, me fokus hetimin për pasuritë e paligjshme, etj Ministri Naço e ka vlerësuar jashtëzakonisht ndihmën dhe asistencën e dhënë nga USAID dhe OPDAT  në drejtim të reformimit të sistemit të drejtësisë, ndërsa i konsideroi model dhe histori suksesi Njësitë e Përbashkëta Hetimore. Z. Naço e vlerësoi me mjaft rëndësi krijimin e mundësive që ekspertët e FBI-së të asistojnë në përsosjen e metodave të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndërkohë z. Brownfield e ka përgëzuar Ministrin Naço për kursin pozitiv që kanë marrë reformat dhe shprehu kënaqësinë e tij për ecurinë e bashkëpunimit mes DASH, DEA dhe Ministrisë së Drejtësisë, duke e konsideruar këtë bashkëpunim si të shkëlqyer. “Mbështesim luftën tuaj kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa presim dhe rezultate konkrete”, u shpreh z. Brownfield Gjithashtu z. Brownfield garantoi mbështetje edhe kundrejt proceseve integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke siguruar vazhdimësinë e programeve të asistencës në forcimin e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit. Partneriteti Strategjik me SHBA-në dhe vizioni i përbashkët për të forcuar më tej lidhjet midis vendeve tona në fusha të ndryshe, si bashkëpunimi ndër-ushtarak, lufta kundër terrorizmit, siguria globale etj, kanë qenë disa çështje të tjera të cilat janë trajtuar gjatë bisedës.