Miliarderët e Britanisë përgatiten të largohen brenda minutit, nëse Laburistët fitojnë zgjedhjet

622
Sigal

Super të pasurit po përgatiten të largohen urgjentisht nga Mbretëria e Bashkuar, nëse partia Laburiste me në krye Jeremy Corbyn, arrin të fitojë zgjedhjet që do të mbahen në 12 dhjetor.

Ata janë të trembur se mund të humbasin miliarda paund, pas zotimeve të Corbyn se “do t’ju vihet pas miliarderëve“, elitës së pasur angleze, duke rritur taksat dhe duke mbyllur shkollat private.

Gazeta “The Guardian” raporton se shumë avokatë dhe ekonomistë, që punojnë për familjet më të pasura britanike, kanë marrë telefonata dhe udhëzimet që të përgatisin “valixhet” për klientët e tyre, duke i transferuar partë në llogari offshore, apo duke ju dhuruar fëmijëve pjesë të pasurisë, në mënyrë që ti shpëtojnë ligjit për trashëgiminë. Partia Laburiste ka premtuar se nëse vjen në pushtet, çdo qindarkë mbi 125 mijë pound, që trashëgohet nga një britanik, do të taksohet.

Një qeveri e drejtuar nga radikali i majtë Jeremy Corbyn, shihet nga elita financiare si një rrezik edhe më i madh se sa një Brexit pa marrëveshje, i cili për një kohë të gjatë është cilësuar si një ngjarje që do të sillte një katastrofë ekonomike.

Një avokat deklaroi për “The Guardian”, se klientët e tij kanë rënë dakord për termat e transferimit të pasurisë dhe në minutin e parë pas një fitore të mundshme të laburistëve, ata do të firmosin dokumentet.

“Transferimi i pasurisë është bërë gati – në shumë raste mjafton vetëm firma”, u shpreh avokati Todd, partner i Boodle Hatfield.

Jeremy Corbyn nuk është mjaftuar vetëm me premtimet radikale të partisë Laburiste, por ka shënjestruar emra konkretë të elitës financiare britanike, si personat e parë që do të preken nga planet e tij, për të sjellë një balancë në vend.

Corbyn sulmoi fillimisht miliarderin Mike Ashley, pronar i gjigandit sportiv, “Sports Direct” dhe ekipit të futbollit “Newcastle United”. Sipas Corbyn ai është “një bos i keq”, që shfrytëzon punonjësit e tij duke i mbajtur në punë me kontrata zero-orë.

Corbyn foli për bankierin Crispin Odey, duke e cilësuar “një bankier lakmitar”, i cili vuri bast kundër paundit përpara referendumit për daljen e Britanisë nga BE.

Corbyn ka shënjestruar gjithashtu manjatin e mediave Rupuert Murdoch, Dukën e Westminsterit, që zotëron shumë prona në qendër të Londrës dhe miliarderin Jim Ratcliffe, i cili është larguar nga Mbretëria e Bashkuar drejt Monakosë, për shkak të taksave të larta.

Anëtarë të partisë Laburiste kanë ide edhe më radikale se Corbyn. Ministri në hije i Thesarit, Clive Lewis, u shpreh për BBC-në, se “miliarderët nuk duhet të ekzistojnë”. Këtë deklaratë radikale, e ka bërë edhe Bernie Sanders, i cili kërkon të jetë kandidat për president në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA.

Zgjedhjet e parakohshme në Mbretërinë e Bashkuar, do të mbahen në datën 12 dhjetor. Vendi po shkon në zgjedhje, sepse qeveria e udhëhequr nga kryeministri Boris Johnson, nuk arriti të kalojë një marrëveshje në parlament, për daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian.

Fushata elektorale pritet të jetë mjaft agresive nga të dyja palët.

Johnson kërkon një mazhorancë që të mund të kalojë një marrëveshje për Brexit, proces i shtyrë për në datën 31 Janar 2020, që po e konsumon Mbretërinë e Bashkuar dhe ka trazuar skenën politike britanike, e cila nuk po gjen paqe që prej referendumit të vitit 2016.