Mijëra turq protestojnë kundër vendimit të Komisionit Zgjedhor për rimbajtjen e zgjedhjeve lokale

477
Sigal

Me qindra protestues kanë mbushur rrugët qendrore të Stambollit, duke shprehur mospajtim me vendimin e Komisionit Zgjedhor në Turqi për rimbajtjen e zgjedhjeve lokale më datë 23 qershor.

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) nën drejtimin e presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan, në një ankesë shkrimore drejtuar Këshillit të Lartë të Zgjedhjeve, pretendon se në 39 zona zgjedhore të Stambollit, ka patur parregullsi dhe korrupsion gjatë procesit të votimit, raporton Anadolu Agency.

Ekrem Imamoglu, kandidati i Partisë Republikane të Popullit, që rezultoi fitimtar në garën për postin e kryebashkiakut ndaj pretendentit rival të AKP-së, ish-kryeministrit, Binali Yıldırım, e cilësoi vendimin e organit zgjedhor, si një akt tradhëtie, që cënon vullnetin e sovranit. “Ne nuk do të kompromentojmë asnjëherë parimet tona. Ky vend është i mbushur me 82 milionë patriotë që do të luftojnë deri në castin e fundit për demokracinë.”- u shpreh Imamoglu.

Zgjedhjet lokale që u mbajtën në Turqi më 31 mars, u panë si një test ekzistencial për lidershipin e Erdoganit, pas recesionit të mundimshëm ekonomik përgjatë dekadës së fundit.  Koalicioni i “Aleancës Popullore” i përbërë nga AKP-ja dhe Lëvizja Nacionaliste (MHP), arriti një fitore në rang vendi me diferencën e ngushtë prej  rreth 51 % të votave. Pavarësisht kësaj, Erdogan vlerësoi pjesëmarrjen e lartë të votuesve me rreth 82 %, duke e cilësuar si një leksion demokracie për mbarë botën.