Meta në Danimarkë: Evropa nuk do të jetë e plotë, dhe pa zgjerimin e BE-së, Ballkani nuk mund të jetë një rajon i sigurt dhe i q

452
Sigal

Parlamenti i Danimarkës shtron darkë zyrtare për nder të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta dhe Delegacionit Parlamentar Shqiptar.

 Kryetari i Parlamentit të Danimarkës z. Mogens Lykketoft, shtroi një darkë zyrtare me rastin e vizitës së Kryetarit të Kuvendit z. Ilir Meta dhe delegacionit parlamentar që e shoqëron.

Në  fjalën e tij të  nderit, z. Lykketoft, pasi i uroi mirëseardhjen në Danimarkë delegacionit shqiptar u shpreh se : “Gjatë kësaj vizite të rëndësishme, patëm rastin të bisedonim hapur për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe mes miqsh për të gjitha çështjet bilaterale dhe për zhvillimin e marrëdhënieve tona.

Ndër të tjera, Kryetari i Parlamentit të Danimarkës z. Mogens Lykketoft u shpreh:

“Kam patur kënaqësinë t’a vizitoj Shqipërinë në cilësinë e Ministrit të Jashtëm në vitin 2001 kur ju z. Meta ishit Kryeministër i vendit. Dua t’ju siguroj se ne e vlerësojmë bashkëpunimin tonë dhe dëshirojmë t’i zhvillojmë marrëdhëniet tona në një stad të ri më të lartë.

Z. Meta, ju jeni një mik i mire i Danimarkës, nje vend qe e njihni mire dhe ku keni shume miq personale në spektrin socialdemokrat të cilët i keni njohur që në vitet e hershme të lëvizjes evropiane socialdemokrate dhe që sot shërbejnë në jetën tonë politike. Dua t’ju uroj nga zemra kurajo në misionin e reformimit dhe modernizimit të vendit tuaj.

Danimarka dhe Shqipëria janë bashkë në shumë drejtime, në NATO, në Afganistan dhe jemi përsëri së bashku sot në Ukrainë. Dëshirojmë të jemi bashkë sa më shpejt edhe në Bashkimin Evropian, sepse të gjithë këtu në Parlamentin e Danimarkës jemi dakord se projekti evropian nuk do të plotësohet kurrë pa integruar plotësisht edhe Ballkanin Perëndimor. Ne kemi një perspektive të shkëlqyer të bashkëpunimit dypalësh mes Danimarkës dhe Shqipërisë, dhe jam i bindur se vizita juaj është një hap i madh në këtë drejtim”.

Gjate fjalës së tij përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta u shpreh:

I nderuar koleg, Z. Lykketoft.

Të nderuar deputetë, Zonja dhe zotërinj.

 Së pari, ju falënderoj z. Lykketoft për ftesën për t’ju vizituar në Danimarkë në këtë vizitë të parë për mua si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Faleminderit për mikpritjen shumë të ngrohtë dhe bisedën e frytshme midis dy delegacioneve tona. Jemi impresionuar shumë nga pritja juaj, si dhe nga mundësia e veçantë që na u dha për tu përshëndetur zyrtarisht gjatë Seancës së Pyetjeve me Kryeministren tuaj.

Zoti Lykketoft, ju gjithmonë i keni kushtuar një vëmendje të veçantë Shqipërisë dhe rajonit tonë, që kur ishit Ministër i Jashtëm dhe dëshiroj t’ju shpreh vlerësimin tonë për përfshirjen tuaj pozitive.

Kjo nuk është hera ime e parë në Danimarkë. Vizita ime e parë jashtë vendit ka qenë në Danimarkë, ku kam mësuar për parimet e demokracisë sociale dhe vlerat evropiane dhe ku kam njohur disa nga miqtë e mi më të mirë, të cilët tani shërbejnë në politikën daneze. Që atëherë, e kam patur shumë për zemër Danimarkën, një vend që ka qenë gjithmonë një shembull ekselence për mua.

 Danimarka, në gjykimin tim përfaqëson një model të qartë të zhvillimit demokratik, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë kontinentin evropian. Niveli juaj shumë i lartë i integritetit, ndjenja e përgjegjësisë me të cilën ju ushtroni politikën në këtë vend, niveli shumë i ulët i korrupsionit dhe standardet shumë të larta të jetesës, ju bëjnë ju jo vetëm një model të shkëlqyer, por edhe një partner shumë të rëndësishëm për Shqipërinë brenda Bashkimit Evropian, të cilit ne aspirojmë ti përkasim një ditë.

Marrëdhëniet tona politike janë të shkëlqyera dhe unë besoj se pas kësaj vizite dhe shpresoj pas një vizite të z. Lykketoft në Tiranë, në të ardhmen e afërt, shkëmbimet tona parlamentare do të hyjnë në një fazë të re dinamike të marrëdhënieve konkrete dhe produktive.

 Jam i lumtur t’ju njoftoj sot se në Tiranë kemi krijuar Grupin Parlamentar të Miqësisë me Danimarkën, i cili do të drejtohet nga një deputete e re e Partisë Socialiste, e aftë dhe e shkolluar në perëndim, znj. Olta Xhaçka, pjesë e këtij delegacioni.

 Më lejoni të shpreh mirënjohjen tonë të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Danimarkës ndaj procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe për kontributin shumë pozitiv që Danimarka jep në rajon, veçanërisht në Kosovë.

 Unë kam ardhur këtu për të siguruar bashkëbiseduesit tanë danezë se prioriteti kryesor në axhendën tonë kombëtare, politike dhe parlamentare,dhe në axhendën e të gjithë spektrit politik është integrimi evropian i vendit dhe i të gjithë fqinjëve tanë në rajon.

 Sa i takon zhvillimit, ne kemi nevojë jo vetëm për asistencën dhe ekspertizën e vlefshme që Danimarka i jep Shqipërisë, por gjithashtu kemi nevojë që investitorët tuaj të vijnë dhe të shikojnë mundësitë që ofron Shqipëria, veçanërisht në energji, agro-përpunim, bujqësi dhe turizëm.

Kuvendi i Shqipërisë do të mbështesë Qeverinë në axhendën e saj evropiane të reformave, duke nxitur një frymë bashkëpunimi dhe gjithëpërfshirjeje në votimin e legjislacionit të nevojshëm. Unë mendoj se si Qeveria, ashtu dhe Opozita kanë të njëjtën përgjegjësi kur bëhet fjalë për prioritetet tona evropiane.

Ne besojmë se, pavarësisht momenteve të vështira dhe krizës ekonomike që po kalon Bashkimi Evropian, lodhja nga zgjerimi nuk duhet lejuar të zëvendësojë vlerat e vërteta evropiane, tek të cilat ne besojmë fort.

Ajo çka ndodhi në Ukrainë shërben për të na kujtuar se projekti evropian është ende i papërfunduar, se vlerat dhe standardet evropiane janë tejet të rëndësishme. Në këtë kuadër unë jam i bindur se pa një Ballkan tërësisht të integruar, Evropa nuk do të jetë e plotë, dhe pa zgjerimin e BE-së, Ballkani nuk mund të jetë një rajon i sigurt dhe i qëndrueshëm.

 Unë jam shumë i lumtur që të njëjtën frymë pozitive inkurajuese e gjetëm dhe në Danimarkë dhe me këtë rast më lejoni të ngre një dolli për ju dhe familjet tuaja, për marrëdhëniet Shqipëri-Danimarkë, për miqësinë mes popujve tanë dhe për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe rajonit tonë.

Gëzuar dhe Skål. Ju falënderoj!

 

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta i shoqëruar nga delegacioni parlamentar shqiptar u pritën  nga Ministri danez i Ushqimit, Bujqësisë dhe Peshkimit z. Dan Jorgensen.

Z. Meta shprehu mirënjohjen e Shqipërisë për kontributin dhe asistencën konkrete që Danimarka ka dhënë në fushën e bujqësisë përmes projekteve si “Neighbourhood Programme” dhe “ProMali”, të cilat kanë impakt pozitiv në zhvillimin rural të bujqësisë në zonat e izoluara nga infrastruktura.

Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit u shpreh se Danimarka ka domethënie të veçantë për Shqipërinë në zhvillimin e bujqësisë, agro-përpunimit dhe sektorit të peshkimit, duke vënë në dukje potencialet e jashtëzakonshme të pashfrytëzuara të Shqipërisë në këtë drejtim.

Ministri Jorgensen u shpreh se Danimarka, përmes organizatave të specializuara dhe ekspertëve të saj, do të vazhdoje ta mbështesë Shqipërinë, veçanërisht në ato aspekte ku Shqipëria ka përparësi të natyrshme për shkak të klimës dhe që afrojnë vendin me standardet moderne të Bashkimit Evropian.

Në përfundim të takimit u ra dakord për ngritjen e grupeve reciproke të punës për identifikimin e zonave të tjera të bashkëpunimit mes Danimarkës dhe Shqipërisë, për të vënë në funksion të zhvillimit të bujqësisë dhe peshkimit shqiptar ekspertizën, standardet dhe teknikat me bashkëkohore të Danimarkës.

Ndërkaq, po të martën Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta ka pritur në një takim edhe nga Ministri Danez për Biznesin dhe Rritjen Ekonomike, z. Henrik Sass Larsen.

Gjatë këtij takimi z. Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e socialdemokratëve danezë në vite, teksa theksoi se asistenca daneze është shumë e rëndësishme për zhvillimin e Shqipërisë.

“Dua të shpreh mirënjohjen time për mbështetjen e pakursyer të socialdemokratëve daneze për Shqipërinë në vite. Asistenca daneze është shumë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë”, u shpreh Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë.

Ministri danez Henrik Sass Larsen ka vlerësuar miqësinë personale dhe bashkëpunimin në vite me z. Meta si edhe ka shprehur gatishmërinë e Danimarkës në mbështetjen e programeve ekonomike të Shqipërisë.

“Unë vlerësoj miqësinë personale dhe bashkëpunimin që kemi pasur në vite me z. Ilir Meta. Dua që ta dini se Danimarka e gatshme t’ju mbështesë konkretisht në programet ekonomike të Shqipërisë. Ne duhet të punojmë më shumë për rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve”, deklaroi z. Larsen. Nga ana e tij, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta tha se investitorët danezë janë të mirëpritur në Shqipëri.