Meta: Heqja e taksimit të dyfishtë ndihmon nxitjen e investimeve nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas

433
Sigal

 

 Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë takohet me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta ka nisur vizitën e tij në Kosovë me një takim në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku është pritur nga homologu i tij, z. Jakup Krasniqi. Në këtë vizitë, Kryetari i Kuvendit shoqërohej nga deputetët z. Shpëtim Idrizi, z. Gramoz Ruçi dhe z. Luan Rama. Pas takimit, dy kryetarët zhvilluan dhe një konferencë të përbashkët për shtyp.  Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta dhe homologu i tij, z. Krasniqi bashkëbiseduan lidhur me perspektivën Evropiane të dy vendeve tona dhe për rritjen e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kosovës.

“Jemi mbledhur sot këtu për të shprehur vullnetin tonë më të plotë për të çuar më tej bashkëpunimin misi dy kuvendeve, Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Shqipërisë si një kontribut i domosdoshëm për të çuar më tej marrëdhëniet tejet të rëndësishme dhe strategjike midis Shqipërisë dhe Kosovës. Tepër strategjike jo vetëm për të forcuar më tej paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonit tonë, por njëkohësisht dhe për mirëqenien e të gjithë qytetarëve tanë. Kosova dhe qytetarët e saj kanë një rëndësi tejet të veçantë për Shqipërinë dhe për të gjithë ne. Dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me domethënien historike dhe emocionale, por pa diskutim ka të bëjë dhe me perspektivën e përbashkët evropiane të dy vendeve tona dhe të gjithë qytetarëve tanë”, tha z. Ilir Meta.

Kryetari i Kuvendit theksoi nevojën për të intensifikuar shkëmbimet midis Shqipërisë dhe Kosovës. Z. Meta vuri theksin në vijimin e bashkëpunimit midis dy vendeve për të punuar në një mënyrë më të qëndrueshme dhe më konkrete në drejtim të harmonizim të legjislacionit midis dy vendeve. “Njëkohësisht, dua të shpreh vendosmërinë tonë për të ecur më tej në konkretizimin e bashkëpunimit midis dy kuvendeve, jo vetëm sa i takon intensifikimit të dialogut, por njëkohësisht edhe të gjithë shkëmbimit të niveleve të tjera,edhe në nivel të komisioneve parlamentare. Por, ajo që është më e rëndësishmja, dakordësia për të punuar në një mënyrë më të qëndrueshme dhe më konkrete në drejtim të harmonizim të legjislacionit midis dy vendeve tona. Jo vetëm sa i takon përafrimit të legjislacionit tonë me atë të Bashkimit Evropian, pasi të dy vendet po punojnë në këtë drejtim, por edhe të harmonizimit, pajtueshmërisë së legjislacionit midis të dyja vendeve tona, pasi kjo është mjaft e rëndësishme për të evituar shumë pengesa, të cilat vështirësojnë rritjen edhe më dinamike të shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare midis Shqipërisë dhe Kosovës”, theksoi z. Ilir Meta.

Kryetari i Kuvendit theksoi se me heqjen e taksimit të dyfishtë, pritet rritja e investimeve nga Kosova në Shqipëri dhe e anasjelltas. “Njëkohësisht, do të doja të nënvizoja rëndësinë e mbështetjes së gjithanshme nga të dyja kuvendet tona të bashkëpunimit midis të dy qeverive dhe të gjithë institucioneve të tjera. Sikurse ju jeni vetë dëshmitarë, ka pasur një intensifikim të marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit midis dy qeverive, ka pasur shkëmbime shumë intensive midis ministrave të ndryshëm dhe do të vijohet. Tashmë është zgjidhur edhe çështja e taksimit të dyfishtë, gjë që do të ndihmojë nxitjen e investimeve nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas”, deklaroi z. Meta.

“Njëkohësisht kemi rënë dakord për të krijuar një infrastrukturë akoma më të mirë doganore, por edhe një infrastrukturë akoma më të mirë që ndihmon rritjen e shkëmbimeve midis të dyja vendeve. Sepse është bërë një investim madhor sikurse është Rruga e Kombit por ende shfrytëzimi i saj nuk është në ato nivele që të gjithë qytetarët tanë presin dhe një perspektivë më e mirë ekonomike e Shqipërisë dhe e Kosovës”, vijoi z. Meta. Kryetari i Kuvendit shprehu mbështetjen e Shqipërisë për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Z. Ilir Meta theksoi rëndësinë e shpërbërjes së shpejtë e të plotë të të gjitha strukturave ilegale që veprojnë në Kosovë dhe të integrimit të plotë të komunitetit serb në jetën institucionale të Kosovës. “Njëkohësisht, dua të shpreh mbështetjen tonë sa i takon përparimit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë me qëllim normalizimin e këtyre marrëdhënieve dhe për këtë dua të theksoj rëndësinë e shpërbërjes sa më të shpejtë dhe të plotë të gjithë strukturave ilegale që veprojnë në Kosovë dhe njëkohësisht rëndësinë e integrimit të plotë të komunitetit serb në jetën institucionale të Kosovës. Kjo do të ndihmojë shumë, jam i bindur, në të gjithë perspektivën evropiane të rajonit tonë”, -tha z. Meta.

Në fjalën e tij, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Jakup Krasniqi shprehu se Shqipëria dhe Kosova do të duhet të shohin drejt rrugëve të reja për të rritur bashkëpunimin. Duke folur gjatë konferencës, z. Krasniqi shprehu mbështetjen për të gjitha aktivitet e përbashkëta të dy qeverive për rritjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat e jetës. “Ka rrugë dhe mundësi të tjera për ta shtuar dhe avancuar bashkëpunimin midis dy kuvendeve tona dhe këtë do ta gjejmë. Gjithashtu, si dy Kuvende, ne do të mbështesim të gjitha aktivitet dhe të gjitha angazhimet e dy qeverive tona që kanë për qëllim krijimin e një hapësire të përbashkët në të gjitha fushat e jetës”, tha z. Jakup Krasniqi.

 

Takimi me Kryeministrin Thaçi

Më tej, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë është pritur në një takim nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi.  Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp pas takimit, z. Meta falënderoi Kryeministrin z. Thaçi, për vizionin e tij europian për Kosovën dhe për gjithë rajonin, si dhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë. Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë vlerësoi angazhimet e qeverisë së Kosovës për të plotësuar të gjitha kriteret për procesin e liberalizimit të vizave. “Kam shumë dëshirë të falënderoj Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi për pritjen që më rezervoi mua dhe delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë sot, por dua në mënyrë të veçantë ta falënderoj për vizionin e tij evropian për Kosovën, por edhe për të gjithë rajonin tonë njëkohësisht edhe për marrëdhëniet midis dy vendeve tona”, tha z. Meta.

“Besoj se qytetarët e Kosovës meritojnë liberalizimin sa më të shpejtë të vizave dhe një perspektive edhe më të shpejtë me Bashkimin Evropian. Ndaj dua të vlerësoj të gjitha angazhimet e qeverisë së Kosovës për të plotësuar të gjitha detyrimet në këtë proces”, theksoi Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta.

Nga ana tjetër, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi përgëzoi z. Meta për sukseset që po arrin Shqipëria në procesin e integrimit, si dhe për bashkëpunimin shumë të mirë me të gjitha vendet fqinje. Z. Thaçi e konsideroi një progres edhe implementimin e reformave demokratike. “E vlerësoj lart rolin dhe kontributin personal të Kryetarit të Kuvendit në këtë proces të rëndësishëm evropian për Shqipërinë”, theksoi Thaçi.

 

Homazhe te varri i Rugovës

Pas takimeve, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë ka bërë homazhe pranë varrit të ish-presidentit, Dr. Ibrahim Rugova në Prishtinë, ku u shpreh se: “Nuk mund të vish në Kosovë e të mos nderojmë këtë figurë të rëndësishme të kombit tonë”. Z. Meta tha se ish-presidenti Rugova, ishte vizionari evropian i cili frymëzoi këtë rezistencë paqësore, duke realizuar aksione ndërkombëtare të çështjes së Kosovës e cila shërbeu si një bazë shumë e rëndësishme për vetë rezistencën e popullit të Kosovës.

Ilir Meta:

Theksoj rëndësinë e shpërbërjes sa më të shpejtë dhe të plotë të gjithë strukturave ilegale që veprojnë në Kosovë.

Heqja e taksimit të dyfishtë do të ndihmojë nxitjen e investimeve nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas

Të punojmë në mënyrë të qëndrueshme dhe më konkrete në drejtim të harmonizim të legjislacionit midis dy vendeve tona.

Besoj se qytetarët e Kosovës meritojnë liberalizimin sa më të shpejtë të vizave

Vlerësoj të gjitha angazhimet e qeverisë së Kosovës për të plotësuar të gjitha detyrimet në këtë proces

Lufta e UÇK-së të mos njolloset.