Merkel telefonatë me Tsipras: Sillni propozimin e ri në samitin e Eurozonës

447
Sigal

Aleksis Tsipras dhe Angela Merkel kanë rënë dakord, në një bisedë të gjatë telefonike midis tyre mesditën e së hënës, që kryeministri grek të mbërrijë mbrëmjen e së martës në samitin e lartë të udhëheqësve të Eurozonës, duke pasur me vete një propozim të ri të marrëveshjes, që kërkon të nënshkruajë me huadhënësit e Greqisë.

Sipas burimeve nga Kryeministria, Tsipras duket se do të shfaqë para partnerëve propozimin e rinovuar të Jean-Claude Junker, pikërisht atë propozim që kreu i KE-së i kishte dhënë Athinës, pasi është marrë vendimi për referendumin, dhe që pala greke e kishte refuzuar.

Ky propozim i ri i Greqisë, të cilën më parë do e çojë në samitin e Eurogrupit ministri i ri i Financave, Efklidhis Tsakalotos, ndahet në tri pjesë: reformat, borxhi dhe paketa financiare për zhvillimin e ekonomisë.

Tsipras ka biseduar përsëri në telefon edhe me Presidentin Hollande dhe, siç bëhet me dije nga mediet greke, duket se kreu i shetit francez i ka thënë që, nëse Greqia sjell në tryezë një propozim, që do të jetë brenda konteksteve logjike të të gjitha palëve negociuese, Franca do ta mbështesë me të gjithë forcën.

Ndërkohë, Tsipras sapo ka përfunduar një mbledhje 5-orëshe me të gjithë udhëheqësit e partive politike parlamentare të vendit, të cilëve u ka kërkuar bashkëpunim dhe mbështetje në rrugën e vështirë të qeverisë për të arritur një marrëveshje jetike me huadhënësit.