Merkel: Statusi? Varet nga raporti i KE-së

419
Sigal

Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se Shqipëria do ta marrë statusin e vendit kandidat, por ajo nuk saktësoi nëse kjo gjë do të jetë e mundur në qershor. “Çdo gjë varet nga raporti që do të marrim nga Komisioni Europian për punën e bërë në Shqipëri”, tha ajo. 

“Shqipëria po bën negociata për statusin e kandidatit. Ne i trajtojmë vendet në bazë të raporteve të Komisionit Europian. Në qershor ne do të marrim një raport të ri, ku KE do të ketë regjistruar punën e bërë nga Shqipëria. Çështja e statusit është çështje kohe, sepse Shqipëria sigurisht do ta marrë atë. Çdo gjë varet nga raporti që do të marrim nga Komisioni Europian”, tha Merkel.Kancelarja gjermane e dha këtë deklaratë gjatë një konference për media të zhvilluar në Berlin, bashkë me Kryeministrin Edi Rama, i cili ndodhet në Gjermani prej ditës së hënë.Merkel njoftoi se është ftuar për një vizitë në Shqipëri, të cilën do ta realizojë brenda vitit, por pa dhënë një datë të saktë se kur.Kancelarja theksoi se Gjermania është një partnere e Shqipërisë, ndërsa u shpreh se vendi duhet të vijojë luftën kundër korrupsionit, punen per ndërtimin e një sistemi juridik, si dhe të punojë për pavarësinë e sistemit të drejtësisë.Nga ana e tij, Kryeministri Rama, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen gjermane, theksoi se në takimin me Merkel foli lidhur me ecurinë e punëve të Shqipërisë dhe rolin e saj për ta cuar më tutje projektin e madh të integrimit Europian. “Ishte një rast shumë i mirë për të vënë theksin te domosdoshmëria e rritjes së bashkëpunimit ekonomik”, tha Rama.Kryeministri theksoi se e kishte siguruar kancelaren se Qeveria është plotësisht e vendosur për të ecur në rrugën e modernizimit të reformave që do të garantojnë cilësinë e jetës dhe cilësinë e shërbimeve.”Ky fillim i mbarë i njohur prej të gjithëve është vetëm nisja e një procesi, ku Shqipëria kërkon të ecë më shpejt drejt Europës, por duke konsideruar integrimin europian një proces të patjetërsueshëm”, tha Rama