Merkel letër Thaçit: Normalizoni marrëdhëniet me Serbinë

526
Sigal

Kryeministri kosovar Hashim Thaçi ka marrë një letër nga kancelarja gjermane Angela Merkel. Në një postim në rrjetin social Facebook, Thaçi shkruan se në vijim të nismës së Konferencës për Ballkanin Perëndimor, Merkel i ka shkruar një letër  në të cilën ajo dëshmon vendosmërinë për të vënë në jetë synimet e diskutuara gjatë atij takimi të frytshëm.
 
 
“Nëpërmjet kësaj letre, ajo jep një mesazh të qartë për të nxitur bashkëpunimin e Ballkanit Perëndimor me institucionet europiane si dhe për të realizuar angazhimet e ndërmarra në sferën politike dhe në projekte konkrete infrastrukturore rajonale. Dëshiroj ta falenderoj zonjën Merkel, në emrin tim personal por edhe në emër të qeverisë së Kosovës, për mbështetjen bujare dhe të shumëfishtë që Gjermania është duke i dhënë vendit tonë dhe mbarë rajonit”, shkruan Thaçi në Facebook.
 
Sipas shefit të ekzekutivit kosovar, në letrën e saj Merkel ka theksuar se duhet normalizimi i mëtejshëm të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
 
Thaci siguron që Kosova do t’u përmbahet me rigorozitet angazhimeve ndërkombëtare të ndërmarra në marrëveshjet e firmosura deri tani dhe do të vijojë të përpiqet për të siguruar fqinjësi të mirë nëpërmjet rrugës së dialogut.