Merkel dhe Putin – Takim në Soçi

492
Në takimin me kancelaren gjermane, Angela Merkel, presidenti rus, Putin pranon edhe njëherë procesin e paqes në Ukrainën lindore. Merkel bëri thirrje për respektimin e të drejtave të pakicave në Rusi.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel në takimin e saj me presidentin rus, Vladimir Putin të martën (02.05) ka kërkuar që presidenti rus të angazhohet për të drejtat e njeriut në vendin e tij. Ajo kërkoi në një konferencë të përbashkët shtypi, që Putin të ndikojë në respektimin e të drejtave të pakicave. Sipas Merkelit, duhet të ekzistojë mundësia që të ushtrohet e drejta për të demonstruar.
Putin e priti Merkelin për bisedime në rezidencën e tij në Soçi. Temat kryesore të takimit ishin gjendja në Ukrainë, lufta në Siri dhe përgatitja e samitit të G20-s që zhvillohet pas dy muajsh në Hamburg.
Presidenti Putin ka pranuar në prani të kancelares Merkel procesin e paqes në Ukrainën lindore. “Formati i Normandisë, (me Gjermaninë, Francë, Rusinë dhe Ukrainën) duhet të vazhdojë punën edhe pas zgjedhjeve presidenciale në Francë, ka thënë Putin. Merkel beson në zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë. “Nuk mungon marrëveshja, por zbatimi i saj”, tha Merkel duke theksuar se procesi politik është më i vështirë, progresi ecën me hapa të vegjël, por të nevojshëm. Sipas Merkel, çelësi është armëpushimi, që mundëson “kompromise të dhimbshme”.
Konflikti në Ukrainë rëndon prej kohësh marrëdhëniet mes Berlinit dhe Moskës. Putin bëri fjalë megjithatë për një bashkëpunim të ngushtë me Gjermanië. “Megjithë vështirësitë e njohura politike, Gjermania është një partner lider ndërkombëtar”, ka thënë presidenti rus.
Sigal