Sigal

“Ne ende nuk e dimë se çfarë po kërkoni realisht”; kancelarja gjermane Angela Merkel paralajmëron se BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar janë ende larg marrëveshjes ndërsa i kërkon Theresa May ta shohë mirë planin Chequers.

Liderja gjermane këmbënguli se biznesi duhet të sqarohet për formën që do të marrë kjo marrëdhënie në të ardhmen ndërsa diskutimet në Angli nuk janë dhe aq të qarta sipas saj.

Merkel u kujdes të theksonte edhe një herë se Londra nuk do të lejohet të zgjedhë pjesët që kërkon nga tregu i përbashkët i BE-së, duke rrëzuar kështu fragmente të rëndësishme të draftit Chequers të kryeministres britanike. Krerët e bllokut e kundërshtuan fort planin e May-t në Salzburg javën e kaluar.

Presidenti i Këshillit europian, Donald Tusk u shpreh i bindur se projekti që parashikon qëndrimin e Britanisë së Madhe në tregun e përbashkët për mallrat, por jo për shërbimet, nuk ka për të funksionuar.

Brukseli i mëshon idesë se është e pamundur të përfitosh vetëm pjesërisht nga tregu në fjalë pa i pranuar të gjitha rregullat e tij, përfshirë lirinë e lëvizjes dhe ligjin europian. Ky kundërshtim kërcënoi ta vendosë May-n përballë një krize të re pasi ajo përballet sakaq me rezistencën e ligjvënësve konservatorë, të cilët kërkojnë që të heqë dorë nga drafti në favor të një marrëveshjeje të stilit kanadez, e cila heq 99% të detyrimeve doganore mbi mallrat që lëvizin mes dy blloqeve tregtare, por nuk ngrihet rreth tregut të përbashkët.