Merkel arrin akordin me Kristian-Socialistët për emigrantët

Kristian-Demokratët e kancelares Angela Merkel kanë arritur akordin për politikat e emigracionit me partinë simotër.

Përparimi në bisedimet me Unionin Kristian-Socialist do të kapërcejë një pengesë të madhe, pasi Kristian-Demokratët e Merkel kërkojnë të formojnë një koalicion qeverisës.

Unioni Kristian-Socialist kishte kërkuar një kufizim në numrin e emigrantëve në Gjermani dhe fajësoi zonjën Merkel për rritjen e nacionalistëve të AfD-së, që për herë të parë do të hyjnë në parlamentin gjerman.

Kancelarja Merkel e kundërshton kufizimin por as ajo nuk kërkon një ripërsëritje të fluksit të madh të emigrantëve që u përjetua gjatë 2015-2016. Marrëveshja mes dy partive do t’i hapë rrugë zonjës Merkel të nisë negociatat për krijimin e një koalicioni me parti të tjera.

Pas refuzimit të Social-Demokratëve për të bashkëqeverisur sërish me Merkel, pritet që kancelarja të hyjë në bisedime me Demokratët e Lirë pro-biznesit dhe të Gjelbërit për të arritur një marrëveshje të ashtu-quajtur koalicioni “Xhamajka”. Vetë Merkel ka pranuar se negociatat për të krijimin e një qeverie do të jenë të vështira.