Merita Ymeri:Shteti hesht për analfabetizmin e fëmijëve të emigrantëve

564
Sigal

INTERVISTA/ Flet mësuesja e gjuhës shqipe në Selanik të Greqisë, Merita Ymeri

 Ajo ka mbi 15 vjet në Greqi, Kallabaka, por tashmë po mendon të kthehet. Arsyet janë të shumta, por kryesorja, mos ripërtëritja e Lejeve të Qëndrimit dhe papunësia. Për çdo ditë nga qyteza, ku ajo banon, emigrantët shqiptarë po kthehen përgjithmonë. Në shumë prej familjeve shqiptare, problem i moskthimit mbetet arsimimi i fëmijëve, pasi ata janë në shkolla greke për shumë vjet. “Agimi i Artë” mbetet pengesa kryesore për mosmësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët e emigrantëve.

Nga jeni me origjinë ju Merita?

Jam me origjinë nga Elbasani dhe prej 15 vjetësh emigrante bashkë me familjen në Kallabaka,  Prefektura e Trikallas në Greqi.

Aktualisht me se po merreni në Kallabaka?

Unë aktualisht ushtroj profesionin e mësueses së gjuhës shqipe në mënyrë vullnetare tek fëmijët e emigrantëve. Ndërsa jashtë kësaj pune, nuk merrem me asgjë tjetër pasi s’ka punë dhe mund të them se jam e papunë.

 Prej sa kohësh jep mësim në mënyrë vullnetare?

Prej gjashtë vjetësh unë vazhdoj të jap mësim në mënyrë vullnetare. Është një pasioni im, që gjithmonë të jap mësim dhe të mos e ndaloj asnjëherë mësimdhënien. Aq më tepër që në Greqi fëmijët e emigrantëve në pjesën dërrmuese nuk e dinë gjuhën e shkruar.

Në çfarë ambientesh jepni mësim?

Ambientet për mësim na i ka lëshuar Bashkia e qytetit të Kallabakës, e cila është një sallë me përmasa të bollshme. Ne si emigrantë kemi pasur dhe kemi marrëdhënie shumë të mira me pushtetin vendor aty. Dhe për këtë problem ata na kanë ndihmuar shumë.

Kur organizohet mësimi i gjuhës shqipe?

Ky mësim organizohet çdo të shtunë dhe të diel. Këto janë dhe ditët më të përshtatshme, pasi në ditët e tjera nxënësit janë në shkollë të rregullt të gjuhës greke.

Sa nxënës ke?

Këtë vit unë kam 25 nxënës, të cilët vijnë në mënyrë sistematike. Janë shumë të dhënë pas gjuhës së tyre.

Po jashtë qytetit a ka shkolla të tjera të gjuhës shqipe?

Në fshatra mësimi i gjuhës është më i vështirë, pasi nuk ka ambiente, por njëkohësisht nuk ka as nxënës që të formojnë grupe të mëdha. Por tani ne po përpiqemi që të hapim një kurs të gjuhës shqipe në fshatin më të afërt të Kallabakës me rreth 15 nxënës. Pra mbetet problem mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve nëpër fshatra, pasi janë larg, ambiente s’ka, mësues gjithashtu.

Ju jeni organizuar në shoqatë?

Po. Ne kemi shoqatën “Meteora”, një shoqatë, e cila konsiston në forcimin e marrëdhënieve të miqësisë mes të dy popujve. Ne si shoqatë kemi bërë shumë aktivitete të përbashkëta.  Kryetar i kësaj shoqate është Yzeir Miraka, ndërsa para tij ka qenë Artur Çeka.

Ku e gjeni bazën materiale për shkollën, kryesisht abetaret?

Baza materiale është dhe ngelet problem në vijimësi.  Kohët e fundit ka qenë Partia Socialiste me degën e saj në këtë qytet, e cila na ka mbështetur me këtë bazë materiale, ndërsa më parë i kam blerë vetë në Shqipëri me kursimet e mia familjare, pasi nuk kemi pasur asnjë mbështetje. Këtu duhet të veçoj se vetëm në një rast më ka mbështetur Konsulli shqiptar në Janinë, i cili pasi më dëgjoi më ndihmoi me disa abetare dhe tekste të tjera mësimore. Por shteti nuk e ka vlerësuar punën tonë.

A keni pasur probleme me partinë “Agimi i Artë”?

Po. Kemi pasur. Por them që tani ne jemi në rrugën tonë. Kundër kësaj partie ka pasur dhe vetë shumë qytetarë grekë që kanë reaguar. Madje, dua të them se reagimi më i ashpër i “Agimi i Artë” ka qenë në qytetin e Volos. Në shumë qytete ata kanë pasur reagime të ashpra ndaj mësimit të gjuhës shqipe dhe ndihmës që i jep Bashkia këtyre shkollave.

Si po ecën procesi i legalizimit të emigrantëve?

 Ky është problemi më i madh. Por jo të gjithë vijnë për shkak të qeverisë greke. Kriza ka bërë që shumë emigrantë të ngelen pa punë. Dhe një nga  pikat kryesore për rinovimin  e Kartës Jeshile është sigurimi i enzimave (pullat e Sigurimeve Shoqërore) që në kushtet e papunësisë nuk mund të sigurohen të gjitha. Kështu, një pjesë e madhe e emigrantëve nuk mund t’i rinovojnë dot Kartat e Qëndrimit. Kështu që ky proces, bën që shumë emigrantë të mos kenë mundësi rinovimi.

Ju aktualisht e pa punë si e keni rinovuar lejen e qëndrimit?

Ne kemi marrë lejen 10-vjeçare të qëndrimit, në sajë të sigurimeve shoqërore të vazhdueshme që ka pasur im shoq. Por thuajse kjo leje 10-vjeçare është drejt përfundimit, kështu që dhe ne do jemi pas ca kohësh të palegalizuar, n.q.s im shoq nuk punon dhe të marrë sërishmi enzima, pulla të sigurimit shoqëror.

 Po me pasaportat e fëmijëve që kanë lindur në Greqi, pikërisht në Kallabaka a ka pasur probleme?

Tek ne jo se ky emër shkruhet sikundër në gjuhën angleze, por të tjerët kanë pasur. Akoma ky problem qëndron, për mosshkrimin në gjuhën angleze apo greke, të vendlindjes së fëmijëve që nuk korrespondojnë njëlloj në anglisht apo në greqisht. Shumë prej emigrantëve nuk mund t’i lëvizin fëmijët këto kohë n.q.s nuk del një qarkore e re, apo të njihen nga shteti grek këto pasaporta.

 Dje që erdhët në Elbasan kishit fëmijë me vete dhe çfarë ju thanë në kufirin greko-shqiptar, policët?

Unë erdha me një fëmijën tim. Kur e pyeta policin ai më tha që vendlindja Trikala është shkruar sikundër është në anglisht, apo edhe në Greqisht. Pra nuk ishte Trikalla. Besoj se nuk do më nxjerrin probleme kur të kthehem.  Unë erdha me djalin e vogël ndërsa dy vajzat i kam lënë në Trikalla.

A po kthehen shumë emigrantë nga zona e Trikallës për në atdhe?

Po. Çdo ditë po kthehen. Po rritet numri i të kthyerve, pasi nuk kanë mundur të bëjnë sigurimin shoqëror. Ata pa sigurime nuk mund të rrinë më aty. Nuk kanë mundësi, pasi policia i zbon, por dhe vetë nuk mund të jetojnë. Kjo sepse vetëm qiraja është mbi 250 euro në muaj. Ku do t’i gjejnë këto të ardhura?

 Kallabaka sa emigrantë shqiptarë ka?

Në këtë qytezë janë regjistruar rreth 680 familje. Pra, këto janë shifra në procesin për legalizim. Tani po shoh çdo ditë dhe më pak shqiptarë.

 Kush është problemi kryesor që kanë aty emigrantët?

 Papunësia dhe mospërtëritja e Lejeve të Qëndrimit, pa diskutuar pastaj shkollimin në shqip të fëmijëve sipas kërkesave të Ministrisë së Arsimit në Shqipëri.

Pse thuhet që pengesë për t’u kthyer në Shqipëri një pjesë e emigrantëve janë fëmijët?

Kjo është e vërtetë, pasi fëmijët shqiptarë në Greqi, janë rritur aty, kanë mësuar në ato shkolla,  dhe n.q.s do të kthehen ata duhet të nisin çdo gjë nga e para. Pastaj kushtet e shkollave në Greqi janë shumë më të mira se në Shqipëri. Këto kushte nuk janë vetëm në qytete, por dhe në fshatrat më të thellë. Gjithashtu, prindërit kanë dëshirë që t’i shkollojnë edhe në shkollat e larta aty. Pra prindërit tashmë janë peng të shkollimit të fëmijëve. N.q.s fëmijët do mbarojnë shkollat numri i emigrantëve të kthyer do të jetë më i madh.

Po ti ke menduar të kthehesh?

Po. Së shpejti, pasi jemi të papunë. Unë kam mbaruar Universitetin “Aleksandër Xhuvani” për mësuesi. Askush sot nuk mendon të emigrojë, por të kthehet në atdhe. Emigracioni kaq e pati mirësinë. Por e di që dhe në Elbasan si zor të gjejë punë dhe pse me shkollë të lartë. Vendet e punës janë zënë. Kohët e fundit PS-ja ka marrë shumë takime me ne në Kallabaka duke na ndihmuar dhe me tekste abetareje. Mbase fryn një erë e mirë për emigrantët tashmë, pasi në 8 vjet, askush nuk ishte interesuar për ne.

Ku ka më shumë papunësi, tek femrat apo tek meshkujt?

Tani më shumë tek femrat, pasi gratë punojnë në pastrim shtëpish dhe grekët preferojnë sot në kohë krize, ti pastrojnë vetë shtëpitë. Pra punët për gratë janë më të reduktuara.