Menaxhimi i krizës së emigrantëve, BE marrëveshje me Turqinë

518
Njëzet e tetë vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë rënë dakord për mënyrën e financimit të marrëveshjes së firmosur me Turqinë, në kuadër të menaxhimit të krizës së emigrantëve.
I njohur ndryshe edhe si plani i veprimit, marrëveshja e arritur mes përfaqësuesve të BE-së dhe zyrtarëve të Ankarasë, nënkupton parandalimin e fluksit të azil-kërkuesve, duke i strehuar ata në Turqi.
Në këmbim, qeveria turke do të marrë në këmbim 3 miliardë euro dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit. Fillimisht, kalimi i fondit u pezullua pas kundërshtisë së disa vendeve antare, ku më kryesorja ishte Italia.
Megjithatë, sipas marrëveshjes së arritur të gjitha vendet do të kontribojnë një shifër të caktuar për të grumbulluar shumën e nevojshme. 1 miliardë euro do të vijnë nga buxheti i Bashkimit Europian ndërkohë që pjesa tjetër do të mbulohet nga vendet antare.
Kontribuesi më i madh në këtë skemë do të jetë Gjermania me 427.5 milionë euro, e ndjekur nga Britania e Madhe me 327.6 milionë. Pas tyre rradhitet Franca me 309.2 milionë euro e më pas Italia me 224.9 milionë euro.
Pas marrëveshjes, për mediat u prononcua Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, duke qënë se vendi i tij mban edhe presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian. Ai tha se blloku me 28 antarë po punon në mënyrë intensive për t’i dhënë një zgjidhje krizës së emigrantëve.
Rutte shtoi se kjo ishte një marrëveshje mjaft pozitive dhe se BE do të vijojë të bashkëpunojë me Turqinë dhe me vendet e tjera.
Sigal