Meksikë/ Tërmeti i së shtunës merr jetën e dy personave

567
Një tërmet i fuqishëm goditi Meksikën të shtunën, duke vrarë të paktën dy njerëz dhe duke shkaktuar alarme të reja në një vend që përpiqet të rimëkëmbet nga dy tërmetet e fundit që vranë së bashku rreth 400 njerëz. Tërmeti goditi qytetin jugor të Oaksakës, por u ndje edhe në kryeqytetin Mexico City.
Instituti Amerikan i Gjeologjisë tha se tërmeti i ri kishte një forcë prej 6.1 ballësh dhe ishte përqendruar në shtetin jugor të Oaksakës, rreth 360 kilometra në juglindje të kryeqytetit Mexico City, banorët e të cili ende po merren me dëmin që shkaktoi tërmeti i së martës, që vrau të paktën 300 persona.
Zyrtarët thanë se tërmeti i së shtunës ishte ndjerë edhe në Mexico City, duke shkaktuar dëmtime në ndërtesat e kryeqytetit.
Agjencia meksikane për menaxhimin e fatkeqësive natyrore tha se tërmeti i së shtunës është një tronditje që pason tërmetin 8.1 ballësh që goditi bregun jugor të Meksikës më 7 shtator, duke vrarë gati 100 vetë. Punëtorët e shpëtimit të shtunën vazhduan të kërkojnë për të mbijetuar nëpër rrënojat e shkaktuara nga tërmeti i së martës, por i pezulluan për pak kohë përpjekjet, për shkak të tërmetit, sipas agjencisë së mbrojtjes civile të Meksikës.
Punëtorët meksikanë të shpëtimit, të mbështetur nga ekipe nga e gjithë bota, duke përfshirë Izraelin, Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara, kanë shpëtuar të paktën 60 njerëz në Mexico City dhe qytetet përreth.
Të enjten, Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar USAID dërgoi një ekip prej më shumë se 60 punëtorë ndihmash dhe mjete e pajisje mjekësore në Mexico City.
Ndërsa zyrtarët mbeten të fokusuar në kërkimin e të mbijetuarve dhe përkujdesjen për të plagosurit pas fatkeqësisë së martës, të prekurit nga tërmeti janë të pasigurt se çfarë do të ndodhë.
Rreth 2,000 shtëpi u dëmtuan nga tërmeti. Shumë prej tyre janë të pabanueshme, duke i lënë banorët të pastrehë.
Meksika ka ngritur 50 strehimore për të mbijetuarit, por disa njerëz po zgjedhin të flenë në rrugë, për shkak të frikës për pasgoditje të tjera.
Sigal