Meksika, e gatshme të diskutojë me SHBA për tregtinë e lirë

466
Sigal



Qeveria meksikane tha se do të përpiqet t’i shpjegojë Trumpit rëndësinë strategjikë për rajonin të marrëveshjes që njihet me siglën NAFTA. Në të njëjtin kuadër, edhe kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se ishte i hapur për bisedime për marrëveshjen që hyri në fuqi në vitin 1994 mes këtyre tre vendeve. 

Gjatë fushatës Trump e ka kritikuar tej mase NAFTA-n duke e cilësuar si pakti më i keq tregtar që SHBA ka firmosur. Meksika dhe Kanadaja druhen se mund të humbasin aksesin në treguan Smerikan, ndërsa Trump premton se do të kthejë vendet e punës amerikane që humbën si pasojë e globalizimit. 

Megjithatë, autoritetet meksikane theksuan se janë gati të bisedojnë me SHBA për NAFTA-n dhe jo ta rinegociojnë atë. Meksika u shpreh e hapur që të modernizojë marrëveshjen në bashkëpunim me qeverinë amerikane dhe atë kanadeze, por theksoi për të dytë herë në të njëjtën komunikatë se nuk bëhet fjalë për rinegocim.

Më herët, në një shenjë zbutje qëndrimesh, Presidenti i Meksikës, Enrike Penja Nieto, tha se është optimist se vendi i tij mund të ketë një raport pozitiv me SHBA nën drejtimin e Trump, pavarësisht retorikës anti-meksikane të këtij të fundit gjatë fushatës. 

Lideri meksikan tha se kishte rënë dakord që të takohej me Trump, mundësisht gjatë periudhës së tranzicionit para se ai të marrë zyrtarisht Presidencën janarin e vitit të ardhshëm.