Mekë, vinçi që vrau 107 persona, i familjes Bin Laden, Inxhinjeri: Vullnet i Zotit

463
Një inxhinier i grupit saudit Binladin, përgjegjës për punimet pranë xhamisë së madhe të Mekës ka deklaruar se rrëzimi i vinçit që shkaktoi vdekjen e 107 personave ishte vullneti i Zotit.
Sipas tij vinçi ishte vendosur në mënyrë tepër të sigurtë kështu që nuk ka patur asnjë problem teknik.
“Ka qënë vullnet i Zotit” –tha inxhinieri i cituar nga AFP. Edhe sheiku Ahmed al-Ghamdi, ish kreu i policisë fetare të Mekës tha se ky aksident ishte një provë e Zotit.
“Na duhet të pranojmë atë që ndodhi dhe në të njëjtën kohë të kryhet një hetim i plotë”-u shpreh ai.
Grupi Saudit Binladin i përket familjes së ish liderit të Al Kaedës Osama bin Laden. Bëhet fjalë për një konglomerat shumëkombësh me seli në Xhedah të Arabisë Saudite dhe kompania e dytë më e madhe në botë që operon në fushën e ndërtimit. Ndërkaq mbreti i Arabisë Saudite Salman ka premtuar se do të zbulojë shkakun e rrëzimit të vinçit që shkaktoi vdekjen e 107 personave në xhaminë e madhe të Mekës, përpara nisjes së pelegrinazhit të Haxhit.
“Ne do të hetojmë për arsyet e rrëzimit të vinçit dhe më pas rezultatet do ti bëjmë publike”-tha Salman pasi vizitoi vendin e ngjarjes.
Salman shprehu ngushëllime për familjet e viktimave dhe vizitoi dhe spitalin ku ndodhen disa prej të plagosurve. Një komision hetimor është ngritur tashmë dhe ka nisur hetimet për shkaqet e rrëzimit. Ndërsa vinçat vazhdojnë të ngrihen pranë Kullës Mbretërore të Mekës, që është edhe ndërtesa e tretë në botë për nga lartësia.
Në rrjetet solciale qarkullon edhe një foto e cila sugjeron se vinçi është goditur nga rrufe para se të rrëzohej.
Puna ka vite që ka nisur me qëllim zgjerimin e 400 mije metrave katrorë në Xhaminë e Madhe, për të lejuar grumbullimin e 2.2 milionë besimtarëve. Pavarësisht tragjedisë, autoritetet saudite kanë konfirmuar se pelegrinazhi i përvitshëm i Haxhit do të nisë siç është planifikuar në 21 shtator. 

Sigal