Mediat britanike: Ish-spiuni rus Sergei Skripal u helmua në rrugë, u gjetën pa ndjenja në një stol

648
Hetuesit britanikë po hetojnë nëse ish-spiuni rus Sergei Skripal është spërkatur me helm në rrugë nga persona të dyshuar, ndërsa ai dhe vajza e tij ndodhen në spital në kushte kritike për jetën pas një ekspozimi të dyshuar ndaj një substance të panjohur, shkruan gazeta britanike “The Evening Standard”.
Sergei Skripal dhe vajza e tij 33-vjeçare Yulia u gjetën pa ndjenja në një stol në qytetin Salisbury të Britanisë pasditen e të dielës. Incidenti nuk është përcaktuar si sulm terrorist nga njësia e specializuar kundër terrorizmit që po drejton hetimin megjithatë qeveria britanike do mbajë një mbledhje emergjente të komitetit të sigurisë të mërkurën.
Ish koloneli i shërbimit të inteligjencës ushtarake Sergei Skripal kreu 4 vite në burg në Rusi pasi u dënua në 2006 nën akuzën se i kishte dhënë Shërbimit Britanik të Inteligjencës informacione sekrete.
Në 2010 spiuni rus u zhvendos në Britaninë e Madhe si pjesë e shkëmbimit me 10 të burgosur të tjerë rusë të dënuar në SHBA, të cilët u kthyen në Rusi.
Policia britanike ndërkohë është vënë në kërkim të një gruaje me flokë bionde e cila është parë në kamerat e sigurisë afër stolit ku u gjetën pa ndjenja ish-spiuni rus dhe vajza e tij të dielën.
Sakaq, rasti i tij po krahasohet me helmimin e ish-spiunit rus Alexander Litvinenko, i cili vdiq pasi ishte helmuar me polonium radioaktiv në një hotel në Londër në vitin 2006.
Sipas ekspertëve, incidenti i fundit me ish kolonelin rus Sergei Skripal ndjek “traditën e gjatë të Rusisë për eliminimin e armiqve të saj”.


Sigal