Mediat botërore: Maqedonia shembulli i vërtetë i dështimit

438
Sipas revistës amerikane, kryeministri Gruevski, është i vendosur për të luftuar për pushtet deri në fund, duke lënë stabilitetin e Maqedonisë nën rrënoja.
Kriza e re kërcënon Ballkanin, Bosnjë e Hercegovinën, Maqedoninë dhe Kosovën. Revista më me ndikim në botën e marrëdhënieve ndërkombëtare, “Foreign Affrairs”, vlerëson se këto tri shtete janë buzë greminës, të rrënimit të institucioneve dhe përshkallëzimit e dhunës.
E për këtë fajtor sipas kësaj reviste, janë disa liderë që po luajnë me kartën e nacionalizimit.
“Maqedonia është shembull i vërtetë i dështimit derisa SHBA-së dhe BE-së, ky vend u intereson pak, ndaj Greqia po e bllokon rrugën e saj për në BE dhe në NATO”, shkruan “Foreign Affairs”.
Sipas revistës amerikane, kryeministri aktual, Nikola Gruevski, është i vendosur për të luftuar për pushtet deri në fund, duke lënë stabilitetin e Maqedonisë nën rrënoja.
Sipas “Foreign Affairs”, edhe Kosova është në gjendje të mjerueshme. Si “rrezik” përmenden opsionet për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, gjë që do të sillte konflikt të ri me Beogradin.
“Brukseli dhe Washingtoni, duhet të bëjnë presion te liderët shqiptarë, që të përparojnë në reforma dhe sundim të ligjit”, shkruan kjo revistë.
Islami radikal dhe ndikimi rus janë dy faktorë, të cilët sipas revistës amerikane paraqesin rrezik për Bosnjën, ndërsa për udhëheqësit politikë të serbëve dhe kroatëve vlerësohet se po bëjnë lëvizje të veçanta për ndarjen e vendit.
Me situatën në Maqedoni është marrë edhe BBC-ja, e cila vlerëson se përgjimet sekrete të publikuara nga lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, konfirmojnë komplotet e ministrave për të manipuluar zgjedhjet dhe fshehjen e një vrasjeje, ku javën e kaluar dy ministra dhe kreu i inteligjencës kanë dhënë dorëheqjet.
BBC-ja në artikull, shkruan po ashtu se jostabiliteti politik në Maqedoni vjen edhe si pasojë e përleshjeve të armatosura të javës së kaluar midis shqiptarëve etnikë dhe policisë. /INA/ 
Sigal