Me sytë nga takimi Papa-Erdogan, nga protestat tek dhuratat simbolike. Për çfarë u diskutua në Vatikan

161
Përse folën Papa dhe Presidenti turk Erdogan në takimin e tyre në Vatikan nuk dihet. Por ndonjëherë dhurata të vogla thonë më shumë se një mijë fjalë.
Papa Françesku i dha presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan një medalje me një engjëll paqeje. “Ky është një engjëll paqeje, i cili e mposht demonin e luftës. Ai simbolizon një botë të bazuar në paqe dhe drejtësi”, shpjegoi Papa, sikurse njoftuan gazetarët që vëzhguan takimin privat. Biseda u zhvillua me dyer të mbyllura dhe zgjati rreth gjysmë ore më tepër se takimet që zakonisht janë rreth 50 minuta.
Deri tani nuk dihen hollësi për përmbajtjen e bisedës, por Erdogani kishte thënë para takimit se do të diskutonte me Papa Françeskun sidomos për çështjen e Jerusalemit.
Listë e gjatë temash të mundshme
Kjo ishte pritja e parë e një presidenti ose kryeministri turk në Vatikan që prej 59 vjetësh. Në vitin 1960 Vatikani dhe Turqia kishin vendosën marrëdhënie të plota diplomatike. Erdogan e ka pritur Papën në Ankara, gjatë vizitës së tij në Turqi në vitin 2014.
Erdogani e falënderoi Papa Françeskun në fillim të takimit për interesin e tij. Gazetarët dhe vëzhguesit e përshkruan atmosferën e takimit si të sjellshme dhe të gëzuar. Presidenti turk kishte thënë më parë se donte të fliste me kreun e kishës edhe rreth luftës kundër terrorizmit dhe Sirisë. Vatikani është i shqetësuar rreth aksionit ushtarak turk kundër njësive kurde në Siri. Ambasadori papnor në Siri, kardinali Mario Zenari, ka bërë në mënyrë të përsëritur thirrje për t’i dhënë fund dhunës. Vëzhguesit besojnë se Papa mund të ketë prekur edhe temën e të drejtave të njeriut, si dhe mbrojtjen e pakicës së krishterë në Turqi apo problemet e njohjes së pronave të kishës.
Protesta kundër Erdoganit
Vizita e Erdoganit u shoqërua me protesta kundër kufizimit të lirisë së shprehjes dhe të mediave në Turqi dhe arrestimit të 150 deri 170 gazetarëve. Po ashtu protesta pati edhe nga kurdët që jetojnë në Itali. Policia italiane kishte marrë masa të forta sigurie, sepse në zonën e Sheshit të Shën Pietrit qe shpallur një ndalim protestash 24-orësh.