Me emra kinezësh e indianësh, trafikanti shqiptar ‘përmbyti’ me drogë Milanon. Ja emrat

784
18 korrik 2015, trafikanti ulet para tryezës së tij, rregullon 33 celularët mbi të dhe hap axhendën. Shënon një shifër, 6180 euro. Në kolonën tjetër shkruan “patën ngel”. Shet marijuanë me 4500 euro kilen, kokainën me 35 mijë.

Është njeri i vëmendshëm ndaj detajeve dhe, me sjellje prej llogaritari, çdo pasdite rifreskon llogaritë: në më pak se dy javë, mes hyrjeve e daljeve, do të qarkullojë 626.351 euro. Të gjitha para në dorë. Rrethon shifrat me laps dhe rifreskon edhe fitimin, 23315 euro. Pastaj del nga apartamenti, në një pallat anonim pranë via Corelli 110. Pak muaj më pas, më 11 prill 2016, policët e anti-drogës hyjnë në atë shtëpi dhe arrestojnë trafikantin Dritan Tilka, 30 vjeç, shqiptar.

Libri i llogarive është i lidhur me aktet e hetimit të mbyllur dje me 31 arrestime dhe sekuestrimin e 22 kileve kokainë, 39 marijuanë, gjysmë milioni euro në dorë, një pistoletë dhe një automatik të vogël. Objekti i hetimit me emrin e koduar “Old story” mund të studiohet si një shembull i ekonomisë kriminale bashkëkohore. Sepse tregon të gjithë fillin e drogës në Milano, nga furnitorët e mëdhenj (shqiptarë që importonin nga Holanda), te grosistët e zonave të malavitës historike (Comasina e Cesano Boscone); deri te shpërndarësit e vegjël që furnizojnë milanezët “e zakonshëm”.
Klientët
418 faqet e urdhër-arrestit, firmosur nga gjyqtari Valerio Natale me kërkesë të prokurorit Marcello Tatangelo, shpjegojnë me detaje Milanon që të gjithë e njohin, por që bëjnë sikur nuk e shohin, metropolin e madh që çdo ditë absorbon e konsumon lumenj kokaine. Policët e anti-drogës, të drejtuar nga Lorenzo Bucossi, kanë regjistruar, për shembull, dhjetëra biseda të milanezëve të uritur për kokainë në telefonin e Antonino Salatinos, 29 vjeç, pikë referimi për porositë e mëdha, por edhe shpërndarës i zoti të shesë deri në dy kile në javë.

Është një pronar lokali dhënë me qira një farmacie, në zonën viale Monza, që e telefonon rregullisht e i thotë “jemi tre vetë”, për të kërkuar tre gramë kokainë, të cilët i dorëzohen mes rafteve të ilaçeve. Është edhe një punonjës i një kompanie shumëkombëshe me seli në zonën Lambrate që merr shërbim në zyrë dy herë në javë. Edhe një shitës që zakonisht pas çdo porosie thotë “e dua të mirë”, pastaj punonjësi i një supermarketi të njohur, nëpunësi i universitetit katolik e kështu me radhë.

Tregu i hapur
Përballë kërkesave të papërballueshme, kapitalet e drogës arrijnë në Milano proporcione makroekonomie: në një prototip tregu të hapur, liberal, pa marrëveshje kartelesh. Kush është i zoti të sjellë mallin, fiton. Në këtë rast ishin shqiptarët: një flotë prej gjashtë makinash me karroceri të modifikuar për fshehjen e drogës dhe udhëtimet në Holandë, një rrjet telefonash anonimë me emra fals indianësh, japonezësh, kinezësh, egjiptianësh, një shpurë korrierësh.

Arritja e drogës është një shërbim, gangsterët tradicionalë apo të rinj në Cesano e Comasina blinin nga të huajt pa caktuar kufij territorialë. Ekonomia e drogës bën xhiro e u sjell fitime të gjithëve. Kjo është arsyeja pse një grosist si Salatino mund t’i përgjigjet i pakënaqur dikujt që i kërkon një sasi të vogël: “Është njësoj sikur Esselunga (rrjeti i supermerkateve) që është gjigant të shkojë e të blejë kungulleshka në një dyqan të vogël”. Është edhe arsyeja që, në nëntë muaj, trafikanti me “studion” në via Corelli ka arritur të bëjë xhiro prej 4.018.000 eurosh.
Sigal