Mbrëmje Gala në Manhattan për shqiptarët e suksesshëm në Amerikë

146

Në restorantin “Battery Garden” në Manhattan, qindra shqiptarë të Diasporës amerikane erdhën krenarë për të festuar së bashku sukseset që kanë arritur në fusha të ndryshme të jetës. Në këto ditë të bukura Maji pas ngricave të akullta dhe të pazakonta të dimrit plak që na la, dukej që edhe natyra bashkë me lulet shumëngjyrëshe gëzohej me fytyrat e bukura të Arbërisë që ndrinin në këtë natë njujorkeze. Mbrëmja Gala ishte organizuar nga aktiviste të mirënjohur të komunitetit si: Vera Mjeku drejtore ekzekutive, Giorgio Kolaj shef i mbrëmjes Gala dhe nga anëtarët e Bordit Fadil Berisha, Nick Markola, Ismer Mjeku, Simon Vukel, Cristina Verger, Bashkim Hasani, Blair Berisha, Blerta Alikaj, Christina Palushaj, Marina Vataj dhe Alberti Popaj. Ndërsa meditoja për pak çaste perëndimin e kuqërremtë që zbriste mbi blunë e Oqeanit Atlantik, përballë dukej sikur na përshëndeste statuja e Lirisë, simboli më i bukur në botë, ëndrra e Lirisë për gjithë njerëzit paqedashës në botë që të kujton poetin dhe kritikun e mirënjohur amerikan David Antin, i cili thotë: “Unë gjithmonë kam një ndjenjë shumë të fortë për Statujën e Lirisë, për shkak se ajo u bë statuja e lirisë sime personale”. Jo pa qëllim është zgjedhur ky vend për mbrëmjen “Gala”, do të thoshte pranë kamerave të TV Alba Life znj.Vera Mjeku veshur me elegancë, pasi të parët tanë erdhën nga Ellis Island e kjo është simbolike dhe për të gjithë shqiptarët që kanë emigruar dhe po vazhdojnë akoma. Ellis Island, është vendi që mirëpriti 12 milionë emigrantë nga e gjithë bota midis tyre sa e sa shqiptarë. Konkretisht sot erdhi dita e bukur që shqiptarët të kenë sukses në Amerikë, të kenë realizuar ëndrrën e tyre dhe të shkruhen historitë e arritjes. Libri me historitë e suksesit vazhdoi znj.Mjeku, do të jetë në vazhdimësi, sepse në këtë libër nuk do të thotë që janë shqiptarët më të suksesshëm, biznesmenët më të fuqishëm, por ata kanë suksese të konsiderueshme, çka na bën të ndihemi të gjithë krenarë si shqiptarë. Në tapetin e kuq parakalonin të gjithë shqiptaro amerikanët e suksesshëm si dhe të ftuarit e mbrëmjes ku do të binin në sy aktorja e Hollivudit Eliza Dushku, mungonte Mike Dusi, aktor tjetër shqiptar i Hollivudit, por e përfaqësonte familja e tij e nderuar, Toni Dovolani, yll Shqipërie, që kërcen në shfaqjen Dancing with the Stars dhe që shikohet nga miliona e miliona amerikanë, fotografi i shquar Fadil Berisha, z.Mark Gjonaj asamblisti i parë shqiptar, Liza Milicaj gruaja e parë shqiptaro-amerikane, si zyrtare e lartë në Këshillin e Bashkisë në Town of Pleasant Valley ne New York. Prof. Shenasi Rama, elitë intelektuale, Ina Jasini, Etrita Ibroci, Nick Markola, ambasadorët e kulturës Merita Halili dhe Raif Hyseni, aktori Luan Bexheti, Albert Stanaj, Anxhelina Martini, biznesmenë të suksesshëm, gazetari i mirënjohur i Zërit të Amerikës Fran Shkreli, Miss Miçigami, Dr.Shpresa Xhakli, Dr.Ismet Luka, Dr.Anna Kohen, Dr.Linda Ciu, dhe mjaft të tjerë që e kam të pamundur të shkruajë gjithë emrat në këtë reportazh. Nderonin me pjesëmarrjen e tyre, Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës, ambasadori Bekim Sejdiu, Ministrja e Kulturës së Shqipërisë znj.Mirela Kumbaro, e cila shoqërohej nga Shefi i Misionit të përhershëm të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, z. Ferid Hoxha. Mjaft personalitete të Diasporës, kryetarë shoqatash si Ismet Kurti, Martin Shkreli, Marko Kepi etj, si dhe aktivistë të ndryshëm kishin ardhur për t’i nderuar bashkatdhetarët e tyre në këtë aktivitet të rëndësishëm. Mbrëmjen e kanë prezantuar aktorja e Hollivudit, Eliza Dushku dhe Toni Dovolani, të cilët vazhdimisht ndërpriteshin nga duartrokitjet e pjesëmarrësve. Në ekran nëpërmjet një dokumentari shfaqeshin të gjithë shqiptarët që kanë bërë histori suksesi dhe janë shkruar në librin: “Albanian American Suçess stories”, publikuar nga Albanian Media Group me fotograf Fadil Berisha dhe Bashkim Hasanaj, editor Marina Vataj, shkrimtare Blerta Alikaj dhe Emily Hubbell, me dizenjatorë Burbuqe Osmani. Mbrëmja u shoqërua nën tingujt e muzikës DJ. Hermes dhe në përfundim të saj, pjesëmarrësve iu dhurua libri luksoz: “Albanian American Suçess Stories”. Ishte një mbrëmje që do të ngelet gjatë në kujtesë dhe që premton për vazhdimësi për të shkruar historitë e suksesit të shqiptaro- amerikanëve, të cilët emigruan për një jetë të më të mirë dhe për të qenë të lirë nga politikat e mbrapshta, që e kanë udhëhequr vazhdimisht Mëmëdheun tonë të shumëvuajtur. Së shpejti TV Alba Life, do të sjellë pranë ekranit aktivitetin që u zhvillua në Battery Garden në Manhattan, për të nderuar shqiptarët e suksesshëm në Amerikë.

Keze Kozeta Zylo

Manhattan, New York