Mbledhja e qeverive Shqipëri-Maqedoni, Rama: Çel një kapitull të ri në marrëdhëniet e fqinjësisë

496
Është zhvilluar sot në Pogradec mbledhja e përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj maqedonase.
Kryeministri Edi Rama i ka uruar mirëseardhjen qeverisë së Maqedonisë të drejtuar nga Zoran Zaev duke e quajtur historike këtë mbledhje. Ai tha se kjo mbledhje e përbashkët do të çel një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve duke përmendur edhe disa nga projektet që i shërbejnë bashkëpunimit mes tyre. Rama theksoi se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit mbetet baza.
“Është një kënaqësi e posaçme për të gjithë ne në anën e qeverisë së Shqipërisë t’ju urojmë mirëseardhjen këtu në Pogradec kur përgjithësisht njerëzit e këtij vendi e lidhin gjithmonë këtë qytet të mrekullueshëm me një nga bijtë më të dashur dhe një nga poetët më të mëdhenj shqiptarë dhe europianë, Lasgush Poradecin. Pjesa më e madhe e vargut të tij magjik i kujtohet këtij liqeni, kësaj pasurie të përbashkët. Kjo simbolikë e liqenit ngushton lidhjet mes dy vendeve. Besoj se ajo i përshtatet më së miri dhe qëllimit të kësaj mbledhjeje të parë të dy qeverive, që jemi shpresëplotë se çel një kapitull të ri në marrëdhëniet e fqinjësisë sonë të mirë, ndërthurur me interesa të përbashkëta, gjeografike, historike, kulturore dhe jo në plan të fundit gjeopolitike dhe gjeo strategjike. Shqipëria do të jetë gjithnjë mikja më e mirë e Maqedonisë që prej pavarësisë së saj, çka qeveritë e Shqipërisë e kanë treguar në mënyrë të palëkundur”, deklaroi Rama.
AXHENDA
Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe ajo e Republikës së Maqedonisë do të zhvillojnë takimin e parë të përbashkët ndërqeveritar në 15 dhjetor, në Pogradec.
Të dy kabinetet qeveritare do të takohen të premten në “Hymeti Palace”, në orën 14.30. Në orën 16.30, Kryeministri Rama dhe homologu i tij Zaev do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Në fokus të bisedimeve do të jetë përmirësimi i marrëdhënieve dypalëshe përmes bashkëpunimit të shtuar në fushën e infrastrukturës, ndërtimi i korridorit 8, intensifikimi i shkëmbimit të mallrave dhe shërbimeve si dhe forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë.
Në këtë takim do të nënshkruhen disa dokumenta të rëndësishëm, përfshi plani i konsultimeve periodike midis ministrive të Jashtme të të dy vendeve, një memorandum bashkëpunimi midis ministrive të Brendshme, si dhe do të miratohet formimi i një Këshilli Ekonomik Dypalësh.
Në fushën e kulturës dhe shkencës do të nënshkruhet memorandumi për intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh përmes Institutit për Trashëgiminë Kulturore dhe Shpirtërore të shqiptarëve të Maqedonisë. Gjithashtu, do të nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, si dhe një marrëveshje për ndihmë reciproke në manaxhimin e emergjencave.
Në datën 16, Kryeministrat Rama dhe Zaev do të vizitojnë Pustecin, ku do të priten nga autoritetet vendase dhe do të asistojnë në dorëzimin e mjeteve mësimore për studentët e një shkolle lokale.
Sigal