Mbi 300 të lënduar në Katalonia

589
Zëdhënësit e qeverisë së Katalonias thonë se 337 persona janë duke u trajtuar në spitale për dëmtime të shkaktuara nga oficerët e policisë spanjolle, ndërsa katalonasit kanë hedhur votat e tyre pro ose kundër pavarësisë nga Spanja. Qeveria qendrore e Spanjës thotë se votimi është i paligjshëm. Policia spanjolle qëlloi me plumba gome mbi protestuesit para të paktën një qendre votimi në Barcelonë, dhe përleshjet kanë shpërthyer me protestuesit në disa vende në shtetin verior të Spanjës.
Madridi tha të dielën se dëshiron të ndalojë referendumin e pavarësisë në Katalonia, duke e quajtur atë një “farsë”.
Enric Millo, përfaqësuesi i Madridit në Katalonia, tha se presidenti i Katalonias, Carles Puigdemont dhe ekipi i tij “janë përgjegjës për gjithçka që ka ndodhur sot dhe për gjithçka që mund të ndodhë nëse nuk i japin fund kësaj farse”.
Policia shkatërroi derën e një qendre votimi me çekiç në Katalonia të dielën, ku kreu rajonal pritej të votonte për referendumin për pavarësi, të ndaluar nga qeveria.
Jashtë qendrës së votimit në Sant Julia de Ramis, pranë qytetit të Gironës shpërthyen përleshje mes policisë dhe votuesve.
Zëvendëskryeministrja spanjolle Soraya Saenz de Santamaria, tha se policia veproi në mënyrë proporcionale.
“Ata (policia spanjolle) kanë përmbushur urdhrat e drejtësisë. Ata kanë vepruar në mënyrë profesionale dhe në mënyrë proporcionale. Qëllimi i veprimeve të tyre nuk ishte drejtuar njerëzve, por materialeve zgjedhore. Ata gjithmonë donin të mbronin të drejtat dhe liritë” tha ajo.
Ndërsa anëtari skocez i një ekipi ndërkombëtar vëzhguesish të ftuar nga qeveria katalanase, James Covkovsky foli kundër veprimeve të policisë spanjolle:
“Ajo që po ndodh në Katalonia është praktikisht mohim i fjalës së lirë dhe mohim i së drejtës për të vendosur të ardhmen tënde. E kuptojmë se ekziston një problem kushtetues, por kur është fjala për të vendosur se cila do të jetë e ardhmja e njerëzve, është njerëzit që duhet të vendosin dhe ne e pranojmë këtë” tha ai.
Katalanasit filluan të votojnë të dielën në referendumin e diskutueshëm të pavarësisë, ndërsa policia konfiskoi fletëvotimet e të paktën një vendvotimi.
Ministria e brendshme e Spanjës tha në Twitter se kutitë e votimit do të hiqen nga qendrat pasi policia vazhdoi dislokimin në Katalonia.
Një zëdhënës i qeverisë rajonale tha se votuesit mund të votojnë në çdo vendvotim, në vend të atyre të caktuar, pasi autoritetet spanjolle kanë mbyllur disa qendra votimi dhe kanë konfiskuar fletëvotimet. Janë raportuar përleshje midis policisë dhe votuesve në disa rrethe. Njoftohet gjithashtu se policia spanjolle ka goditur turma votuesish me plumba gome. Jordi Turull, zëdhënësi i qeverisë së Katalonias, u bëri thirrje katalananëve të vazhdojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar “në mënyrë civile dhe paqësore”.
Sigal