Mbi 110 mijë emigrantë kanë mbërritur në Itali dhe Greqi gjatë 2016

445
Më shumë se 110 mijë emigrantë kanë mbërritur në Greqi dhe Itali këtë vit, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin që lamë pas.
Shifrat janë publikuar nga Organizata Ndërkombëtare e Emigracionit. Gjatë një konference për shtyp në Vjenë, zëdhënësi i Organizatës, Itai Viriri, u shpreh se krahasuar me të njëjtën periudhë të 2015, shifrat janë shumë të larta.
Vetëm në ishujt grek si Samos, Kos dhe Lezbos kanë mbërritur rreth 102.500 klandestinë, kurse në brigjet jugore të Italisë kanë mbërritur 7.500 refugjatë.
“Gjatë së njëjtës periudhë mbi 410 emigrantë dhe refugjatë kanë humbur jetën, e cila nuk ndryshon shumë nga shifra e të njëjtës periudhë e vitit të kaluar, u shpreh Viriri, duke shtuar se rruga mes Turqisë dhe Greqisë vazhdon të jetë më vdekjeprurëse.
Ai shtoi se pavarësisht kushteve thuajse të njëjta të udhëtimit në Libi-Itali, numri i klandestinëve që përdorin rrugën nga Turqia është më i lartë.
Sipas të dhënave, vetëm në muajin shkurt në Greqi kanë mbërritur rreth 35.000 emigrantë , prej të cilëve 48 përqind nga Siria, 25 përqind nga Afganistani, 17 nga Iraku dhe pjesa tjetër nga Irani, Pakistani, Maroku, Bangladeshi dhe Somalia.
Në raport thuhet gjithashtu se emigrantët që mbërrijnë në Itali shpesh janë në gjendje shumë të keqe pasi dhunohen nga kontrabandistët në Libi.
Sigal