Mbi 10 000 qytetarë në Islandë, të gatshëm t’u hapin dyert emigrantëve sirianëve

71
Më shumë se 10 mijë islandezë janë shprehur sot në Facebook se janë të gatshëm të presin në shtëpitë e tyre refugjatë sirianë, ndërsa qeveria e vendit ka publikuar se do të presë një kuotë të vogël të kontigjentit të refugjatëve. Shkrimtarja dhe pedadogia, Bryndís Björgvinsdóttir u propozoi sot shtetasve të saj në Facebook të shpreheshin nëse dëshironin që Islanda dhe 330 mijë banorët e saj të mund të prisnin më shumë refugjatë sirianë. Sot rreth pasdites më shumë se 10 mijë iu përgjigjën pozitivisht thirrjes. “Unë jam një nënë beqare dhe kam një fëmijë gjashtë vjeç dhe mund të strehojmë një fëmijë në nevojë. 

Unë me profesion jam mësuese dhe do t’i mësoj të flasë, lexojë dhe shkruaj gjuhën islandeze si dhe të integrohet në shoqërinë islandeze. Kemi veshmbathje, shtrat, lodra dhe gjithçka që i nevojitet një fëmije”, shkruan Hekla Stefansdóttir. Shumë shtetas propozojnë një shtëpi, por gjithashtu ushqim, veshje dhe ndihmë të integrohen në shoqërinë islandeze. “Besoj se qytetarët janë të lodhur nga pamjet e aktualitetit me ngjarjet dramatike në Mesdhe dhe pamjet e kampeve të refugjatëve dhe kërkojnë që tashmë duhet vepruar në mënyrë sa më të shpejtë”, u shpreh Björgvinsdóttir në televizionin publik “Ruv”. Ministrja e Çështjeve Sociale, Eygló Hardardóttir tha për televizionin “Ruv” se autoritet po i mbledhin të gjitha ofertat e bëra në Facebook dhe kërkojnë të rrisin numrin e kuatova të refugjatëve, 50 në total për vitin 2015 dhe 2016.