Masat ndëshkuese ndaj Rusisë

541
Sigal

Presidenti rus Vladimir Putin tha se nuk do të
dëbojë diplomatë amerikanë në përgjigje të masave ndëshkuese të njoftuara nga
Presidenti amerikan Barack Obama. Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump e
vlerësoi këtë vendim si “një lëvizje të shkëlqyer”. Ndërkohë, mediat amerikane
njoftojnë se janë gjetur pjesë të kodit rus të përdorur për ndërhyrje
kibernetike, në sistemin një kompanie private në Burlington, e cila furnizon me
energji elektrike shtetin amerikan Vermont.

Presidenti i zgjedhur Trump shkruajti në Twitter për
“një lëvizje të shkëlqyer”, duke shtuar se “gjithnjë e kam ditur që është shumë
i zgjuar!”.

Kjo ishte një lëvdatë për Presidentin rus Vladimir
Putin për vetëpërmbajtjen ndaj sanksioneve amerikane për 9 agjensi zbulimi të
Rusisë.

Me vetëm tre javë të mbetura në detyrë, administrata
Obama i njoftoi këto sanksione si kundërpërgjigje për ndërhyrjen e Moskës në
zgjedhjet presidenciale amerikane.

Presidenti Obama detyroi edhe 35 operativë rusë të
zbulimit të përgatisin valixhet, duke u dhënë atyre vetëm 72 orë për t’u
larguar nga SHBA-ja, si dhe duke mbyllur dy komplekse të qeverisë ruse në
shtetet Maryland dhe Nju Jork.

Megjithëse duket se sanksionet mund të zhbëhen
lehtësisht prej Presidentit të ardhshëm Trump, ai do të përballet me sfida për të
fituar mbështetjen e Uashingtonit.

“Ligjërisht kjo nuk e bllokon Trump-in, i cili që
ditën e parë në detyrë mund t’i rrëzojë këto sanksione me një të rënë të
lapsit. Politikisht do të jetë më e vështirë, pasi administrata ka qarkulluar
edhe prova shtesë nga FBI-ja dhe Departamenti i Sigurisë që implikojnë hakerë
rusë në procesin elektoral.”

Megjithëse Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov foli
në televizion për një kundërpërgjigje, zoti Putin tha se nuk do të veprojë
derisa administrata e re e Shtëpisë së Bardhë të marrë detyrën.

Duket se zoti Putin po i dërgon një mesazh
Presidentit të ardhshëm, Donald Trump.

“Është një shkelje syri për Trump-in duke i thënë se
do të kemi një marrëdhënie të mirë bashkë dhe një ftesë për të bërë diçka të re
dhe ndryshe… Por, sa kohë do të duhet për këtë? Njerëzve iu kujtohet se
George W. Bush dhe Obama u përpoqën për një marrëdhënie të mirë me Putinin dhe
dështuan.”

Shtëpia e Bardhë thotë se këto sanksione nuk
shënojnë fundin e kundërpërgjigjes amerikane dhe se do të ndërmerren masa të
tjera që nuk do të bëhen publike.

Ndërkohë, gazeta “The Washington Post” citoi sot
burime të administratës Obama se gjurmët e një kodi hakerësh rusë u gjetën në
sistemet e një kompanie në shtetin Vermont. Kompania “Burlington Electric”, e
cila menaxhon furnizimin me energji elektrike, deklaroi se një kod keqbërës
ishte zbuluar në një kompjuter portativ që nuk ishte i lidhur me rrjetin
koordinues të elektricitetit.