Masakra e Las Vegasit – Paddock mund të ketë patur të tjera koncerte në shënjestër

708
Agresori Stephen Paddock që vrau 58 persona në Las Vegas gjatë fundjavës, mund të ketë patur të tjera koncerte në shënjestër. Hetuesit kanë konfirmuar se 64-vjeçari mund të ketë marrë në konsideratë festivale jo vetëm në Las Vegas, por edhe në Çikago dhe Boston. Për hetuesit mbetet ende i paqartë motivi që shtyu Paddock të kryente masakrën.

Agresori pas të shtënave në masë në një koncert të hapur në Las Vegas kishte rezervuar dhoma me pamje nga të tjera vende ku do të mbaheshin koncerte.

Në këtë përfundim kanë mbërritur hetuesit, të cilët kanë konfirmuar se Stephen Paddock kishte rezervuar një dhomë në Ogden gjatë festivalit “Life is Beautiful” në Las Vegas, një javë përpara se ai të vriste 58 persona dhe të plagoste qindra të tjerë.

Sipas detajeve më të fundit të zbardhura nga policia, Paddock mund të ketë konsideruar edhe të tjera ambjente koncertesh në Çikago dhe Boston.

Një person me emrin Stephen Paddock rezervoi një dhomë në Blackstone Hotel në Çikago, në të njëjtën kohë që zhvillohej festivali muzikor i Lollapalooza-s.

Por sipas një zëdhënësi të hotelit, ai kurrë nuk u regjistrua dhe nuk mund të konfirmohet se bëhet fjalë për të njëjtin person.

Ndërkaq, hetuesit ende po punojnë për të gjetur motivin pas aktit të 64-vjeçarit që shkaktoi panik në Las Vegas fundjavën e kaluar.

Sipas zyrtarëve, Paddock mund të ketë patur një jetë sekrete.

Sakaq, Shoqata Kombëtare e Pushkëve në Shtetet e Bashkuara ka kërkuar rregullore shtesë për dorezat që i lejojnë pushkat gjysmë-automatike të funksionojnë si plotësisht automatike, si në rastin e masakrës së Las Vegasit.
Sigal